Politika Fevziu: Kam pasur shumë oferta nga politika, ja kur do largohem nga...

Fevziu: Kam pasur shumë oferta nga politika, ja kur do largohem nga televizioni

Gazetari Blendi Fevziu i ftuar në emisionin ‘Të Pa ekspozuarit’ në MCN TV ka folur për 25 vitet e tij si moderator i emisionit Opinion, ndërsa shprehet se do të largohet nga moderimi në momentin që do e ndjej një gjë të tillë.

Ndër të tjera ai tregon edhe për ofertat që ka pasur nga politika për poste, por që gjithmonë kanë pasur si përgjigje një jo pasi siç Fevziu shprehet ai nuk mund të jetojë me bodigardë sepse është një njeri i lirë.

“Opinion mbush 25 vjet si emision. Mbylli vitin e 25. Nuk e kam menduar asnjëherë që nuk do largohem, do ta bëj në momentin që do e ndjej. Jam thirrur disa herë së pari që kur  kam qenë 31 vjeç për post politik por kam thënë jo. Pas ‘90 kam qenë aktiv mes gazetarisë dhe politikës, pothuajse si të gjithë, por nisa të kuptoj se nuk varen gjërat nga ti. E shihja që në politikë kishte gjëra neveritëse dhe në gazetari kisha më shumë pasion prandaj ofertat kanë qenë ‘jo’ gjithmonë sepse s’kam asnjë dilemë. Pastaj unë nuk jetoj dot me bodigardë, jam një njeri i lirë, dua të dal për dreka e pushime, nuk bëj dot jetën strikte, edhe pse jeta ime ka qenë e limituar për emisionin. Kam harruar si janë mbrëmjet në shtëpi pa impenjim. Njëherë pata një problem me marramendjen dhe mjekja më sugjeroi për një vizitë në Austri dhe kur shkova mjeku atje u habit me ritmin tim të punës. Duhet të përshtatesh me jetën tjetër. Kulmi i punës time nis kur njerëzit janë të shtrirë në divan”.