Bota Finlanda në NATO, Rusia kërcënon: Do të detyrohemi të ndërmarrim hapa hakmarrës

Finlanda në NATO, Rusia kërcënon: Do të detyrohemi të ndërmarrim hapa hakmarrës

Presidenti i Finlandës Sauli Niinisto dhe kryeministrja Sanna Marin

Në përgjigje të deklaratës së liderëve të Finlandës, të cilët u shprehën pro bashkimit me aleancën ushtarake të NATO-s, Moska ka reaguar me kërcënime.

“Aderimi i Finlandës në NATO është një ndryshim rrënjësor në politikën e jashtme të vendit”, tha në një deklaratë Ministria e Jashtme e Rusisë.

Në deklaratën e Ministrisë së Jashtme thuhet po ashtu se Rusia do të detyrohet të marrë hapa hakmarrës.

“Rusia do të detyrohet të ndërmarrë hapa hakmarrës, si të natyrës ushtarako-teknike ashtu edhe të natyrave të tjera, që të ndalojë shfaqjen e kërcënimeve ndaj sigurisë së saj kombëtare”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Rusisë.

usia është shprehur se plani i Finlandës për t’u bashkuar me NATO-n është një kërcënim për Rusinë dhe sipas Kremlinit, zgjerimi i bllokut ushtarak nuk do ta bëjë Evropën apo botën më të qëndrueshme.

Edhe zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se planet e ndërmarra nga Finlanda për t’u bashkuar me NATO-n janë për “të ardhur keq”.

Po ashtu, ai shtoi se Finlanda kishte ndërmarrë “hapa jomiqësorë” kundrejt Rusisë.

I pyetur se çfarë forme do të kishte reagimi i Rusisë, Peskov tha:

“Gjithçka do të varet nga mënyra se si do të zhvillohet ky proces i zgjerimit të NATO-s, nga shkalla në të cilën infrastruktura ushtarake lëviz më pranë kufijve tanë”.