Bota Francezët “shpërfillin” koronavirusin, autoritetet: Të vëmë shtetrrethim në Paris

Francezët “shpërfillin” koronavirusin, autoritetet: Të vëmë shtetrrethim në Paris

Qeveria franceze po konsideron izolimin e plotë të Parisit, ndërsa rastet me koronavirus po dyfishohen çdo tre ditë.

Autoritetet shëndetësore e përshkruajnë situatën si ekstremisht shqetësuese, pasi qytetarët nuk po i përmbahen thirrjeve për qëndrim në shtëpi dhe distancë sociale.

Mijëra vetë u joshën nga moti me diell të dielën, duke u dyndur drejt parqeve e duke shëtitur buzë Senës. Qindra u panë teksa relaksoheshin në Les Invalides, përballë mauzoleumit të Napoleonit, ndërsa ushqime vazhdonin të shiteshin nëpër rrugë.

Drejtori i përgjithshëm i shëndetit publik, Jerome Salomon, u bëri thirrje qytetarëve të mobilizohen për të frenuar përhapjen e koronavirusit, pasi situata po del jashtë kontrollit.

“Qytetarët duhet të qëndrojnë në shtëpi. Do të ishte katastrofike të arrinim në pikën kur duhet të zgjedhim se kë të shpëtojmë”, ishin fjalët e tij.

Mbi 5400 persona janë të prekur nga Covid-19 në Francë, e mbi 400 janë në terapi intensive 36 viktima të reja u shënuan në 24 orët e fundit, për një total prej 127 personash.