Bota Gabimisht në burg për 42 vite, më në fund fiton lirinë, por...

Gabimisht në burg për 42 vite, më në fund fiton lirinë, por nuk do të marrë dëmshpërblim

Një burrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është liruar më në fund nga burgu pas 42 vitesh, i dënuar gabimisht për një vrasje të trefishtë të ndodhur në vitin 1978.

Kevin Strickland, sot 62 vjeç, gjithmonë ka pretenduar se ishte i pafajshëm, që prej arrestimit në moshën 18-vjeçare dhe dënimit në vitin 1979.

Sipas statistikave zyrtare, ai është personi që ka kaluar më shumë kohë pas hekurave gabimisht brenda shtetit Misuri, dhe i shtati në rang kombëtar në SHBA. Megjithatë, në bazë të ligjeve lokale, nuk parashikohet të marrë ndonjë dëmshpërblim për këtë. “Nuk e mendoja kurrë se kjo ditë do të vinte”, tha ai pasi doli nga salla e gjyqit.

Strickland u dënua me 50 vite burg pasi u arrestua në lidhje me vrasjen e 3 personave brenda një shtëpie. Një person i katërt, që i mbijetoi sulmit, dëshmoi duke identifikuar Stickland si një prej atentatorëve, edhe pse ai pretendoi gjatë gjithë kohës që nuk ishte fare në skenën e krimit.

Gjyqi i parë doli pa vendim, për shkak se një prej anëtarëve të jurisë, i vetmi me ngjyrë në panel, nuk pranoi ta shpallte fajtor në bazë të kësaj dëshmie. Por një tjetër gjyq, i zhvilluar këtë herë me një juri të përbërë vetëm me persona të bardhë, e shpalli fajtor.

Vite më vonë, dëshmitarja deklaroi se nuk ishte shumë e qartë për atë që kishte parë atë natë, por vdiq para se ta zyrtarizonte rishikimin e dëshmisë.