Ekonomi Gazifikimi i vendit, tre rrugë kyçe nga do të depërtojë gazi

Gazifikimi i vendit, tre rrugë kyçe nga do të depërtojë gazi

Nga Fieri deri në Termocentralin e Vlorës, nga Fieri në Ballsh dhe nga Tirana në Durrës. Këto janë tre rrugët kyçe nga planifikohet që gazi i sjellë në tokën shqiptare prej gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP), të mbërrijë te konsumatori. Të përfshira në masterplanin e  gazit për vendin tonë, ato janë, në të njëjtën, kohë edhe nyjat e para me të cilat, gjatë një të ardhme, parashikohet të kompletohet gjithë rrjeti i gazifikimit të vendit. Duke pretenduar kështu, për ta sjellë një ditë gazin si produkt jetësor në të gjitha familjet e shqiptarëve, por edhe bizneset që e përdorin atë si burim energjie. Por, si fazë e parë e realizimit të këtij projekti madhor për vendin, fillimisht është pikërisht ajo e finalizimit të tre linjave të para, që do e sjellin gazin në zona të tilla të rëndësishme për vendin siç është ajo e Vlorës, ku ndodhet edhe Termocentrali i cili punon pikërisht me bazë naftën.

“Zëvendësimi i naftës me gaz natyror në TEC-in ekzistues, do të shmangë ndotjen”, – shpjegojnë ekspertët lidhur me një projekt të tillë. Për të cilin japin detajet e mëtejshme se nga totali i kërkesave për gaz që ofron zona Fier-Vlorë, rreth 250 milion m3/vit, 190 prej tyre do të jenë vetëm për të përmbushur nevojat e TEC-it, ekzistues të Vlorës, me fuqi prej rreth 100 MV dhe atij të mundshëm prej rreth 200 MV. Teksa linja e transmetimit do të jetë rreth 40 kilometra më e gjatë dhe do të kushtojë rreth 15 milionë euro. E gjitha e parashikuar që të ndërtohet për një periudhë brenda tre vjetësh. Teksa vetëm rrjeti i shpërndarjes së gazit në qytetin e Vlorës është parashikuar të jetë rreth 230 kilometra i gjatë dhe do të kushtojë rreth 32 milionë euro. Nga ana tjetër, sa i takon linjës së dytë të shpërndarjes së gazit, ajo ka të bëjë me aksin Fier-Ballsh.

“Kjo degë transmetimi mbyll furnizimin me gaz të trekëndëshit industrial Fier-Vlorë-Ballsh, me një kërkesë të mundshme prej rreth 600 milion m3/vit”, sqarojnë ekspertët lidhur me një fakt të tillë. Duke shtuar se, kjo linjë do të jetë rreth 39 kilometra e gjatë, do të kushtojë rreth 11 milionë euro dhe është parashikuar që të ndërtohet brenda tre vjetësh. “Kjo degë do të furnizojë disa konsumatorë të mëdhenj, si rafineritë e naftës në Fier e në Ballsh dhe industrinë e nxjerrjes së naftës në Patos-Marinëz, si dhe industri të tjera, për një total prej rreth 330 milion m3/vit”, – pohojnë mes të tjerash ekspertët. Kurse në lidhje me linjën e tretë që do sjellë gazin te konsumatorët, ekspertët shprehen se ajo parashikon që me transmetimin e gazit për Tiranën dhe Durrësin, ky rrjet do të furnizojë me gaz sektorin industrial, të shërbimeve dhe rezidencial që ndodhet në këtë zonë të rëndësishme për vendin. “Sipas parashikimeve të Mmasterplanit, në vitin 2040, kërkesa e tyre do të jetë rreth 740 milion m3/vit. Kostoja e këtij rrjeti transmetimi do të jetë rreth 11 milion euro, për një gjatësi prej rreth 35 kilometrash”, – sqarojnë ekspertët.