Kulturë Gjashtë autorë të letërsisë shqipe do të përkthehen në gjuhë të huaja

Gjashtë autorë të letërsisë shqipe do të përkthehen në gjuhë të huaja

Gjashtë autorë të letërsisë shqipe do të flasin në gjuhë të tjera. Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka shpallur sot përmes një ceremonie 6 autorët, përkthimet e së cilëve do t’i mbështesë në gjuhë të huaja.

Arjan Leka, Zija Çela, Rudi Erebara, Tom Kuka, Bashkim Shehu dhe Natasha Lako janë emrat që do të flasin në greqisht, italisht, spanjisht dhe frëngjisht.

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve ishte e pranishme dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila ka shprehur rëndësinë e vazhdimësisë së këtij fondi për mbështetjen e letërsisë shqipe.

Juria e përbërë nga Diana Kastrati, Esmeralda Kromidha, dhe Ben Andoni vendosi të jenë fitues 6 tituj fitues nga 13 aplikime për “Fondin e përkthimit letrar nga gjuha shqipe në gjuhë të huaj”.

“Nga 13 aplikime të ardhura pranë QKLL-së, juria përzgjodhi 6 vepra fituese, si më poshtë:

[Shtëpia Botuese – Autori – Vepra – Përkthyesi – Gjuha e përkthyer]

1- Eurasia 1618 LP, Arjan Leka, Hartë memece për të Mbyturit, Andrea Zarballa, Greqisht.

2- Fauves Éditions, Zija Çela, Djalli Komik, Sebastien Gricourt, Frëngjisht

3- Ginger Ape Book, Rudi Erebara, Epika e Yjeve të Mëngjesit, Maria Roces Gonzalez, Spanjisht.

4- Besa Muci, Tom Kuka, Gurët e Vetmisë, Valentina Notaro, Italisht.

5- Besa Editrice, Bashkim Shehu, Udhëkryqi dhe Humnerat, Mirela Alushi, Italisht.

6- Grammata, Natasha Lako, Qiell Europe, Petro Çerkezi, Greqisht”, thuhet në njoftimin e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.