Politika Gjekmarkaj: Nëse Berisha rikthehet si kryetar, largohem nga PD

Gjekmarkaj: Nëse Berisha rikthehet si kryetar, largohem nga PD

Deputeti i Partisë Demokratike Agron Gjekmarkaj shprehet se partia do të dalë nga kriza e cila e ka përfshirë. Në një intervistë në emisionin “Kjo Javë“, Gjekmarkaj thotë se është për rikonstruktimin e partisë.

Sipas tij, shumë personave u janë premtuar poste të rëndësishme nëse mbështesin mbledhjen e Kuvendit Kombëtar.

Së fundmi, deputeti demokrat konfirmoi edhe njëherë qëndrimin e tij se nëse Berisha kthehet në krye të PD-së, Gjekmarkaj do të largohej nga partia.

“PD do të dalë nga kjo krizë. Unë jam partizan i rindërtimit të PD, e kam hedhur këtë tezë që në korrik, e kam mbështetur zotin Marku në tezën e tij. PD ka jetike, por jo në shenjën e konfliktit, duhet të rikthehet gara në çdo nivel, s’duhet të ketë emërime. Nuk duhet të jetë e personalizuar PD. Unë dua një parti ku përfshihen elitat, që ka mendim, të jetë parti bashkëkohore të joshë qytetarët që të vij në pushtet. Ka njerëz me vlera PD, por jo mjaftueshëm sa meriton. Është kërkuar iluzioni sikur do të bëhet kuvendi me datë 11 dhe me 12 do të rrëzohet Edi Rama. Shumë personave i janë premtuar poste, për kryetar bashkish e të tjera, kjo nuk është rruga e duhur.

PD është partia kryesore e opozitarizmit në Shqipëri dhe do e kalojë këtë moment. Unë e thashë, që Berisha ka konsumuar fazat e veta në politikë, ka pasur suksese, ka pasur fatalitete si askush tjetër. Nuk mendoj që është ai modeli. E shkuara nuk duhet të jetë e ardhmja. Berisha mund të ishte një këshilltar shumë i mirë. Ai ka zgjedhur konfrontimit. Ai ka ide, energji, por ka mbyllur të gjitha fazat me fitore e me humbje, e thjesht përsërit vetveten. Në PD kanë hyrë e dalë qindra njerëz. Unë jam një individ i ardhur së fundmi nga atashimi e nuk marr vendime për PD, por marr vendime për veten. Një PD në konflikt me SHBA nuk është e mirë për askënd. I qëndroj deklaratës time. Largohem”, tha Gjekmarkaj.

A ka besëprerje nga Basha për Berishën?

“Nuk e di cilat kanë qenë pritshmëritë e Berishës. Sali Berisha e kishte kryer ciklin e tij politik si fitues, e në 2013 ai humbi. Ai ka qëndruar 8 vite në politikë më pas e ka qenë mentori i zotit Basha. Ka qenë i udhës që Berisha të tërhiqej. Basha ka qenë nën hije. Unë s’e përjashtoj Amerikën. Në këtë kuptim nuk gjej besëprerje, në kuptimin e aktit që mori. Kolegët e mi i thonë zotit Basha pse ti fyen zotin Berisha, ndërkohë që ky i fundit e fyen të gjithë ditën. Berisha ka shprehur atë që mendon, por duhet të vendosi strukturat. E në këtë rast është dashur të ndeshesh me to, e jo të fshihesh nga frika se ata nuk e pranojnë“ – shprehet Gjekmarkaj.