Bota Protesta në Holandë dhe Austri kundër karantinës, nipi i Kennedy në manifestimin...

Protesta në Holandë dhe Austri kundër karantinës, nipi i Kennedy në manifestimin “no vax” në Milano

Qindra persona u përleshën me Policinë holandeze pasi kishin dalë të protestonin kundër masave të reja shtrënguese kundër përhapjes së koronavirusit të vendosura nga qeveria.

Sipas rregullave të reja, baret dhe restorantet do të duhet të mbyllen në orën 20:00, aktivitetet sportive do të vijojnë të zhvillohen me dyer të mbyllura, ndërsa numri i personave që një familje mund të presë në shtëpi u kufizua në 4.

Rreth 200 persona u qëlluan me ujë të ftohtë nga Policia në Hagë, teksa demonstruesit po protestonin para Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Sigurisë. Njerëzit u kundërpërgjigjën duke hedhur flakadanë e madje edhe biçikleta kundër policëve, të cilët nisën të përdornin shkopinjtë e gomës.

Edhe pse numri i vdekjeve mbetet i ulët, Holanda regjistroi 16 mijë raste të reja me Covid-19 vetëm të premten, një shifër rekord, që tejkalon edhe nivelet maksimale prej 13 mijë rastesh në ditë në dhjetorin e vitit të kaluar. Kjo edhe pse 85% e popullsisë është vaksinuar me të paktën dy doza. Që prej nisjes së pandemisë, Holanda ka regjistruar 2,27 milionë raste dhe 18695 viktima.

Protestë kundër masave anti-Covid u mbajt edhe në Linz të Austrisë, pasi kancelari Alexander Schallenberg shpalli planet e tij për të rivendosur izolim të detyruar për personat e pavaksinuar. Në Austri, sipas Reuters, 20% e shtretërve nëpër spitale po përdoren për të infektuarit me Covid-19.

Ndërkaq, në Itali vijojnë manifestimet kundër vaksinimit të detyruar dhe “green pass”-it të vendosur edhe për të shkuar në punë. Në një protestë të madhe në Milano u pa edhe Robert F. Kennedy Jr., nipi i presidentit të ndjerë amerikan, John F. Kennedy.