Aktualitet Gjendet 13-vjeçarja: Trillova rrëmbimin se nuk më linin prindërit të dilja me...

Gjendet 13-vjeçarja: Trillova rrëmbimin se nuk më linin prindërit të dilja me shoqet

Alarmi i dhënë për rrëmbimin e një 13-vjeçareje të sëmurë në zonën e ish-parkut të autobusëve ka rezultuar i rremë, pasi ka qenë një lojë e rëndë e vajzës, e cila është gjetur në një qendër tregtare me shoqet e saj. Rreth katër orë pas alarmit për rrëmbimin e saj, policia ka arritur të gjejë të miturën pranë sheshit “Rilindja” (Ish Zogu i Zi), në shoqërinë e bashkëmoshatareve të saj.

Policia u vu në lëvizje menjëherë pas denoncimit të prindërve të vajzës, të cilët deklaruan se ajo ka qenë duke u kthyer nga shkolla, kur është rrëmbyer nga një makinë tip “Fiat”, me ngjyrë të kuqe. Prindërit i janë referuar dëshmisë së motrës 13-vjeçare, e cila bashkë me të kishin zbritur nga furgoni që i transporton për në shkollë dhe anasjelltas. Policia tha se ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:30 dhe menjëherë u ngritën postblloqe të shumta, jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytetet përreth kryeqytetit. Rreth orës 18:30, nëna e vajzës dha disa detaje për të, duke deklaruar se ajo është e sëmurë dhe kurohet katër herë në ditë me insulinë.

Duke bërë apel për vajzën e saj, me lot në sy, ajo shpjegoi ngjarjen sipas versionit të motrës së vajzës, e cila pretendohej se ishte rrëmbyer. Rreth orës 19:15, policia e kryeqytetit njoftoi se vajza është gjetur në një qendër tregtare dhe gjatë dëshmisë së saj para oficerit të policisë ka deklaruar se ajo nuk ishte rrëmbyer, por kishte ikur me dëshirë nga shtëpia. Sipas versionit të dhënë nga 13-vjeçarja, ajo ka trilluar këtë rrëmbim, pasi prindërit nuk e linin të dilte me shoqërinë.

Pas gjetjes së vajzës, policia ka njoftuar familjen e saj, ndërkohë që vijon hetimi për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Kjo nuk është hera e parë që fëmijët në Tiranë trillojnë ngjarje të tilla, edhe pse në shumë raste, familja deklaron se ata nuk janë kthyer në shtëpi dhe nuk ka pasur raste trillimi të tilla, duke alarmuar të gjithë strukturat e policisë.