Aktualitet Gjendet i pajetë alpinisti që ra në humnerë në malin e Munellës

Gjendet i pajetë alpinisti që ra në humnerë në malin e Munellës

Gazetari Alfred Lela me alpinistin Ndoc Mula

Është kthyer në një tragjedi alpinizmi i disa personave në malin e Munellës në Pukë.

Është gjendur i pajetë 60-vjeçari Ndoc Mulaj që ishte pjesë e grupit të alpinistëve amatorë së bashku me gazetarin Alfred Lela në malin e Munellës në Pukë.

Si pasojë e terrenit dhe motit të keq, 2 nga alpinistët kanë rrëshqitur duke rënë në një humnerë rreth orës 16.10 të së enjtes.

Dy orë pas incidentit është gjetur Ilir Shyti rreth 30 vjeç i cili është transportuar për në spital. Kërkimet kanë vijuar më pas edhe për Mulajn që për shkak të plagëve të marra nga rrëzimi ka ndërruar jetë.

Ndërsa gazetari Alfred Lela, Dorien Malaj dhe Gisel Dollani janë në gjendje më të mirë. Në kërkime morën pjesë shërbimet e Policisë, zjarrfikëses, pjesëtarë të shoqatës së alpinistëve të Pukës të cilët janë ndihmuar edhe nga banorë të zonës.

Gazetari Alfred Lela rrëfen si u rrëzuan në humnerë

Gazetari Alfred Lela ka folur për News 24 pas incidentit të ndodhur në majën e Munellës në Pukë. Ai rrëfeu se teksa kanë prekur majën e malit, një stuhi e fortë ka përshkruar zonën duke e bërë më të vështirë lëvizjen e tyre.

Në këto kushte, grupi i ekspeditës ka vendosur të kthehet, në të njëjtën rrugë që kryen ngjitjen, me shpresën se gjurmët e tyre do të ishin ende të ngulitura në dëborë. Por për fat të keq, era e fuqishme dhe ngrica i kishin fshirë gjurmët dhe zbritja nga maja, ishte tepër e vështirë.

“E kapëm majën, aty nisi një stuhi që frynte në dy krahët dhe na bëri të pamundur kapërcimin në anën tjetër të majës për t’u ulur në një drejtim tjetër.

Era ishte e tillë sa që na merrte mbrapsht. U detyruam të iknim mbrapsht. Ishim pa fat, sepse era dhe i ftohti kishin mbuluar gjurmët duke e bërë uljen më të vështirë.

Në përpjekje për t’u ulur kemi rrëshqitur 3 prej nesh, unë i pari. Me ndihmë të Zotit jam ndalur aty ku nuk mendoja se do të ndalesha më, mendoja se e kisha mbyllur me këtë botë. Më ka ndaluar një objekt pa shkuar në anën tjetër të shkëmbit.

Kyçi besoj që është thyer, shpresoj të jetë ndrydhur. Na janë dashur rreth 1 orë për të zbritur sepse era ishte forcuar shumë nga i ftohti. Kjo është rezymeja.

Ne jemi grup që bëjmë ekspedita prej shumë vitesh. Ishim një grup miqsh që do të bënim ngjitjen e fundit të vitit e ndërkohë unë dhe kameramani po xhironim e filmonim”, – tha gazetari ende pa u gjetur trupi i pajetë i alpinistit Ndoc Mulaj.

Me plagë të rënda është edhe 30-vjeçari Ilir Shyti që është transportuar në spital.