Kulturë Gjermania nderon me Medalje Argjendi piktorin shqiptar dhe djalin e tij

Gjermania nderon me Medalje Argjendi piktorin shqiptar dhe djalin e tij

Piktori shqiptar më famë ndërkombëtare Gjergj Kola ka qenë i ftuar nderi në Berlin në një ekspozitë të rëndësishme ku merrnin pjesë artistë nga e gjithë bota. Ekspozita u mbajt në Art Gallery Zeidler, Artcom Expo International, në fund të nëntorit, dhe shënoi një sukses të jashtëzakonshëm në Gjermani. Në këtë ekspozitë piktori Kola u përfaqësua me 15 vepra të cilat janë pjesë e pashkëputur e krijimtarisë së tij artistike në këto 30 vite pune intensive kudo në botë. Në këtë event Kola u nderua me Medalje Argjendi për veprën ‘Artisti’, e cila i dedikohet artistit të ri, të paharruar Atjon Zhiti, djalit të shkrimtarit dhe poetit të shquar disident z.Visar Zhiti. Tabloja në teknikën e akuarelit është pjesë e buceteve të një kompozimi monumental mural për një nga muzeumet e artit në Lombardi.

Pjesëmarrja në këtë ekspozitë, ka qenë mjaft e veçantë për piktorin Kola, pasi edhe djali i tij  Sebastian u nderua me një çmim të rëndësishëm në fushën e pikturës. “Shtëpia në pyll” e Sebastian Kolës u vlerësua me çmim nderi nga organizatorët duke veçuar mbi të gjitha, pastërtinë dhe fantazinë e imagjinatës së piktorit të vogël shqiptar. Specifikisht piktura e tij u vlerësua në  aspektin teknik, origjinal të natyrshëm, në interpretimin e kompozimit dhe të figurave të detajuara me linjë të pandërprerë. Në fjalën e tij Kola falenderoi organizatorët për këtë event ku sipas tij çmimi nuk ishte vetëm personal, por mbi të gjitha u vlerësua më së miri dija, arti dhe kultura.

“Arti dhe kultura nuk janë luks por domosdoshmëri jetike që favorizon vijimin normal të jetës së njeriut. Duke qenë të sigurt se të gjithë dashamirësit tanë i gëzohen një suksesi dhe vlerësimi të artit të pastër viziv që praktikon djali jonë Sebastian, ne u suprizuam nga ftesa qe morëm nga e nderuara Baronesa Jiselda Salbu për promovimin e vizatimeve të djalit tonë të shtrenjtë Sebastian në eventin ndërkombëtar artistik në galerinë prestigjioze Art Gallery Zeidler në Berlin të artistes së shquar Marta von Zeidler”, theksoi Kola në fjalën e tij, ndërsa shtoi se Sebastiani përfaqësoi dhe nderoi në këtë event ndërkombëtar artistik, jo vetëm familjen e tij, por të gjithë bashkëmoshatarët, shkollën dhe profesorët në Riva del Garda në Itali, ku  familja e tij jeton prej vitesh, e mbi të gjitha nderoi Shqipërinë dhe Lezhën historike nga ku ka edhe prejardhjen.

Krahas ekspozimit të pikturave në këtë event u u prit me mjaft entuziazëm edhe prezantimi i librit të Gjergj Kolës “Tri legjendat shqiptare” me tekstin e përpunuar nga bashkëshortja e piktorit , Vjollca Kola, si dhe 60 ilustrime që u ribotuan edhe në gjermanisht, pasi me herët ishin përshtatur në shqip, italisht, anglisht, greqisht dhe rusisht.