Kryesore Gjykata e Tiranës pezullon zgjedhjet e 2 Marsit për kreun e FSHF

Gjykata e Tiranës pezullon zgjedhjet e 2 Marsit për kreun e FSHF

Gjykata e Tiranës ka pezulluar zgjedhjet e 2 Marsit për kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit.

Sipas gjykatës, Federata Shqiptare e Futbollit nuk mund të organizojë zgjedhjet pa u shqyrtuar të gjitha ankesat në gjykatë.

Në vendimin e saj, Gjykata e Tiranës ka pezulluar edhe Komitetin Ekzekutiv të FSHF për zgjedhjet e 2 Marsit si dhe gjithë Komisionin e Verifikimeve në FSHF për zgjedhje.

Gjykata e Tiranës thotë se zgjedhjet në FSHF do të mbahen vetëm pas vendimeve për ankesat që janë bërë në gjykatë.

Çështja e zgjedhjeve rajonale për FSHF u zhvilluan në klimë tensioni me akuza dhe kundërakuza. Për këtë në Tiranë ndodhen prej 3 ditësh edhe 3 zyrtarë të UEFA-s të cilët po shqyrtojnë procedurat e ndjekura.

Situata e tensionuar kulmoi në zgjedhjet në shoqatën rajonale të Tiranës ku 18 delegatë u larguan në mënyrë demonstrative pas fillimit të Asamblesë.

Në Durrës u kallëzua penalisht një delegat i zgjedhur, për shpërdorim detyre pasi nuk kishte asnjë autorizim si përfaqësues i klubit Erzeni.

Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka dalë hapur kundër kreut aktual të federatës Armand Duka i cili kërkon një mandat të 6.

Juristë pranë bashkisë pretendojnë se në Asamblenë e Tiranës, por edhe shoqata të tjera, kanë votuar njerëz anonimë, ndërsa përfaqësues të federatës e cilësojnë këtë një ndërhyrje të politikës.