Bota Gjykata rrëzon “mbylljen” e Madridit: Kush nuk do të respektojë masat anti-Covid...

Gjykata rrëzon “mbylljen” e Madridit: Kush nuk do të respektojë masat anti-Covid nuk do dënohet

Gjykata e Lartë në Madrid rrëzoi të enjten ratifikimin e masave kufizuese kundër përhapjes së pandemisë të miratuara së fundmi nga qeveria qendrore.

Ratifikimi me afat kohor dyjavor, që u bë të premten e javës që shkoi, parashikonte mbylljen e pjesshme të kryeqytetit spanjoll dhe nëntë bashkive përreth tij.

Mirëpo gjykata i ka hedhur poshtë me arsyetimin se “ato cenojnë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut” për 4.5 milionë banorëve që mund të prekeshin nga masat kufizuese.

Kush nuk do të respektojë rregullat nuk do të sanksionohet.

Qeveria spanjolle, e përbërë nga një koalicion i Partisë Socialiste dhe partisë Unidas Podemos, ka pasur vazhdimisht përplasje me opozitën konservatore rreth masave të ashpra.

Mbyllja e pjesshme e qytetit dhe rrethinave të saj arsyetohej me qëllim uljen e kurbës së të infektuarve në Madrid, qytet i kthyer tashmë në epiqendër të infeksionit për valën e dytë të pandemisë që po vuan Evropa.

Në bazë të masave të marra, qeveria vendosi të mbyllë baret dhe restorantet pas orës 23:00 dhe dyqanet pas orës 22:00 dhe gjithashtu kufizimin e aktivitetit me 50 për qind të hapësirave.

Qeveria e ka apeluar çështjen, ndërsa Gjykata e Lartë pritet të vendosë nëse do t’i pezullojë tërësisht masat kufizuese, sikurse ka kërkuar partia e djathtë e quajtur Vox.

Spanja është ndër më të prekurat në Evropë nga infeksioni i COVID-19 me rreth 870 mijë raste të konfirmuara që prej nisjes së pandemisë. Vala e infektimeve ka tejmbushur spitalet ndërsa zyrtarisht thuhet se spitalet rajonale janë tashmë me 40 për qind të kapaciteteve të zëna.