Një grabitje e armatosur ka ndodhur këtë të martë pranë aeroportit “Nënë Tereza” në Rinas.
Sipas policisë, bëhet fjalë për një automjet të transportit të vlerave monetare, që është grabitur nga persona të paidentifikuar dhe të armatosur.
Gjatë grabitjes mësohet se ka pasur edhe të shtëna me armë, ku gjatë shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i vrarë njëri nga grabitësit.
Ndërsa autorët e tjerë u arratisën me një furgon, që u gjet më pas i braktisur.
Në ndjekje të autorëve të grabitjes është edhe një helikopter që po patrullon në zonën ku mendohet se janë arratisur të dyshuarit.
Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forca të shumta policie.
Ndërsa nëpër akset rrugore janë ngritur postblloqe. Të angazhuar në këtë aksion janë edhe forcat e Policisë së Lezhës, Dibrës e Durrësit.
Deklarata e policisë
Informacion paraprak
Pak minuta më parë, pranë aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në Rinas, dyshohet se disa persona ende të paidentifikuar, me maska dhe armë pasi kanë thyer derën e rrethimit që përdoret nga shërbimet zjarrfikëse, kanë grabitur një sasi lekësh në pistën e avionit dhe janë larguar.
Në ndjekje të tyre janë vënë forcat e FNSH dhe ato të Policisë Kufitare të Rinasit.
Gjatë ndjekjes në një rrugë dytësore, autorët kanë shkëmbyer zjarr me Policinë, e gjatë këtij shkëmbimi ka humbur jetën njëri prej autorëve të grabitjes.
Policia ka gjetur ndërkohë dhe bllokuar një mjet fugon.
Forca speciale policore si RENEA e FNSH, të ndihmuara nga një helikopter janë ende në ndjekje të autorëve të grabitjes.
Të angazhuara në operacionin e gjerë janë edhe forca nga Policia e Tiranës, Lezhës, Dibrës e Durrësit.