Bota Greqia urdhëron vaksinimin e detyrueshëm për sektorët kyç: Kush nuk bindet, largohet...

Greqia urdhëron vaksinimin e detyrueshëm për sektorët kyç: Kush nuk bindet, largohet nga puna

Me valën e katërt të pandemisë që po troket në derë, Greqia ka vendosur vaksinimin e detyrueshëm për sektorët kyç.

Vaksinimi i detyrueshëm kundër Covid-19, i cili po diskutohet jo vetëm në shtetin fqinj, por edhe në vende të ndryshme në të gjithë Europën, përfshirë Francën. Ky vendim synon shpesh grupe specifike të popullsisë, siç janë personeli mjekësor, por edhe sektorë të tjerë që kanë kontakt të vazhdueshëm me qytetarët.

Në një fjalim drejtuar kombit, kryeministri Kyriakos Mitsotakis njoftoi të hënën se vaksinimet kundër Covid-19 do të jenë të detyrueshme për punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe stafin e azileve, si edhe ushtrinë.

Masa për personelin e shtëpive të kujdesit për të moshuarit do të jetë efektive menjëherë, ndërsa punonjësit e kujdesit shëndetësor do të duhet të vaksinohen duke filluar nga 1 shtatori. Duke filluar nga vjeshta, vaksinimi pritet të bëhet i detyrueshëm për mësuesit dhe kategori të tjera kyçe të sektorit privat, si arkëtarët apo shitësit si dhe punonjës të tjerë të shërbimit me klientin.

Mitsotakis gjithashtu njoftoi kufizime të reja për të ndaluar përhapjen e virusit duke synuar në mënyrë të drejtpërdrejtë jetën e natës.

Vendet e mbyllura, duke përfshirë vendet e argëtimit, teatrot, kinematë dhe baret, do të lejojnë vetëm hyrjen e njerëzve të vaksinuar.

Duke iu referuar stafit në shtëpitë e të moshuarve, banorët e të cilëve ai tha se janë më të prekshmit, Kryeministri tha se ata që nuk do të vaksinohen do të përballen me pezullim.

“Ata që nuk i binden urdhrit të qeverisë do të pezullohen nga puna nga 16 gushti e tutje. Ne nuk mund të lejojmë që ata që supozohet të mbrojnë ata që janë më në rrezik të jenë bartësit e mundshëm të këtij rreziku”, theksoi ai.

Sa i përket vaksinimit të detyrueshëm të profesionistëve të kujdesit shëndetësor në sektorin publik dhe privat duke filluar nga 1 shtatori, Mitsotakis tha se “është e pakonceptueshme, për shembull, që një infermiere e pa vaksinuar të kujdeset për një pacient me kancer“. “Jam i sigurt që një pjesë e madhe e shoqërisë pajtohet me këtë vendim. Dhe unë kërkoj nga të gjitha palët që ta mbështesin atë pa yje dhe rezerva”, shtoi ai.

Sipas mediave greke, masa që po diskutohet për punonjësit e kujdesit shëndetësor që refuzojnë vaksinimin do të jetë pushimi i menjëhershëm nga puna, pa pagesë.

Mitsotakis gjithashtu vuri në dukje se, 18 muaj pas shpërthimit të pandemisë, Greqia tani ka vaksinat për të siguruar sigurinë e çdo qytetari. “Pas një viti e gjysmë, askush nuk mund të pretendojë se ata nuk dinë për koronavirusin. Qeveria ka vaksina për të gjithë”, tha ai. “Është e nevojshme që deri në fund të gushtit, 70% e popullsisë së rritur të jenë vaksinuar”, shtoi ai. Dispozita do të hyjë në fuqi nga e premtja deri në fund të gushtit.