Aktualitet Historia e Marias dhe Albanës, dy shkodranet që u përleshën dhe çarmatosën...

Historia e Marias dhe Albanës, dy shkodranet që u përleshën dhe çarmatosën grabitësin në farmacinë ku punojnë në Itali

Maria dhe Albana

Përveç rasteve të vjedhjeve, trafikut të drogës apo vrasjeve, Shqipëria reflekton edhe shembuj pozitivë në Itali.

Historia e Maria dhe Albanës, dy shqiptarë, të cilat punojnë si sanitare në farmacinë “Galluzo” në Firence, ka tërhequr interesimin e mediave përtej Adriatikut.

Dy mikeshat, të ngarkuara me pastrimin e ambienteve të farmacisë, gjetën forcën të vepronin instinktivisht, duke ndaluar dhe ç’armatosur një person, i cili hyri për të vjedhur.

Një hajdut i armatosur, priti disa minuta në radhë në farmaci, i maskuar me kapuç dhe shall për të mbuluar fytyrën dhe kur i erdhi radha, i drejtoi armën punonjëses, duke i kërkuar paratë.

“Po pastroja raftet pranë hyrjes së farmacisë, pashë nga larg që ai djali i kishte drejtuar armën doktoreshë Elisa-s, e cila u shtri nën banak, kisha frikë se mund të kishte vdekur. Më pas pashë që grabitësi e kishte vendosur armën në banak, nuk e mendova asnjë sekondë, instinktivisht shkova drejt tij, duke u munduar të mos më shikonte. Mora armën nga banaku dhe vrapova drejt daljes së farmacisë me armë në dorë, ndërsa ai më ndoqi”, tregon Maria, 39 vjeçe.

Anna Ara, farmacistja italiane, të cilës grabitësi i drejtoi armën

Mes Marias dhe grabitësit, pati edhe një përleshje. Maria u rrëzua në tokë, hodhi armën, por mikesha e saj nuk e la në baltë.

Albana vrapon të marrë armën dhe largohet së bashku me të. Grabitësi ndjek Albanën, ata kalojnë nëpër rrugët e Piazza del Galluzzo, më pas Albana hedh pistoletën në asfalt, grabitësi e merr atë dhe zhduket.

Pas kësaj, Maria dhe Albana janë rikthyer në punë në farmacinë “Galluzzo”. Maria është 39 vjeçe, jeton në Itali që prej moshës 19-vjeçare, është e martuar dhe ka 3 fëmijë.

Albana ka dy fëmijë, prej 23 vitesh ndodhet në Itali. Të dyja kanë lindur në Shkodër, mbërritën shumë të reja në Itali për t’u bashkuar me bashkëshortët e tyre. Atë që ndodhi në farmaci nuk e konsiderojnë gjest heroik, por instinkt mbrojtës ndaj njerëzve të rrezikuar.

Farmacia “Galluzo” në Firence, ku ndodhi ngjarja

“Veprimi ynë mund të duket si një gjest heroik, por në të vërtetë kemi vepruar me instinkt, një instinkt mbrojtës ndaj nesh dhe ndaj klientëve të tjerë të farmacisë, kishte shumë njerëz në atë moment, përfshirë një nënë me një fëmijë vetëm 2 vjeç”, thanë shqiptaret.

Ndonëse nuk i kanë harruar ende ato momente të forta, thonë se kanë fjetur të qeta. Edhe Maria dhe Albana i drejtohen me një mesazh të qartë grabitësit: “Duam t’i themi të mos e bëjë më një gjë të tillë, por gjithashtu t’i themi se nuk ia vlen të shkatërrosh jetën tënde për disa qindra euro. Ta falim? Nuk mendoj se jemi gati ta falim atë”.

Në fund, dy gratë me origjinë nga Shkodra, kanë një koment për të gjithë të huajt që paragjykohen. “Ndonjëherë ka paragjykim për të huajt që kryejnë krime, këtë herë jemi të lumtura që kemi kontribuar në çarmatosjen e një krimineli, i cili nga theksi i të folurit ngjason si toskan (Firence)”, – përfundojnë Maria dhe Albana.