Bota I tredhur sepse ishte gay, fytyra e tij vendoset në kartëmonedhën 50...

I tredhur sepse ishte gay, fytyra e tij vendoset në kartëmonedhën 50 paundëshe: Theu kodet naziste

Alan Turing, një prej shkencëtarëve më të mëdhenj të Britanisë sw Madhe, i dënuar për homoseksualizëm në epokën viktoriane, është vlerësuar nga autoritetet shtetërore që kanë vendosur fytyrën e tij në kartëmonedhën e re 50 paundëshe.

Guvernatori i Bankës së Anglisë, Mark Carney, tha të hënën se Turing – i cili u vetëvra në vitin 1954 pasi iu nënshtrua tredhjes kimike – do të jetë i pranishëm në kartëmonedhat e reja që do të dalin në përdorim në fund të vitit 2021. Ai e vlerësoi Turing si një “matematikan i jashtëzakonshëm” dhe “një gjigant mbi shpatullat e të cilit sot qëndrojnë shumë vetë”.

Turing njihet edhe për punën e tij në deshifrimin e mesazheve të koduara që dërgoheshin nga nazistët gjatë Luftës II Botërore, duke thyer makinerinë koduese gjermane “Enigma”. Ai gjithashtu luajti një rol kyç në zhvillimin e kompjuterëve, si dhe hedhjen e ideve të para mbi inteligjencën artificiale.

Dy vite pasi zgjodhi tredhjen kimike për të shmangur burgun, ai i dha fund jetës së tij në moshën 41-vjeçare, duke ngrënë një mollë të helmuar. Marrëdhëniet homoseksuale mes meshkujve mbi 21 vjeç u hoqën nga lista e veprave penale në vitin 1967 në Angli, ndërsa në Skoci në vitin 1980 dhe Irlandën e Veriut në vitin 1982.

Në vitin 2014 ai mori edhe faljen mbretërore për dënimin, ndërsa ish-kryeministri Gordon Brown në vitin 2009 kërkoi zyrtarisht falje në emër të qeverisë për trajtimin e padrejtë të Turing nga sistemi i drejtësisë.