Sport Icardi do vetëm Juven, sulmuesi dikton kushtet tek Inter

Icardi do vetëm Juven, sulmuesi dikton kushtet tek Inter

Pasi e zhveshi nga shiriti i kapitenit dhe e detyroi të qëndrojë larg ekipit të parë, jashtë planeve për të ardhmen, Inter i hoqi numrin 9 Mauro Icardit duke rikonfirmuar kushtet për të gjetur një skuadër të re për sulmuesin.

Por edhe futbollisti argjentinas nga ana e tij, po dikton kushte të vështira për zikaltërit.

Opsioni i vetëm i pëlqyeshëm nga Icardi për momentin është Juventus. Kjo manovër do t’i lejonte familjes së sulmuesit që të qëndronte në Milano dhe të mos ndryshonte totalisht jetesën për shkak të transfertës.

Por në aksin zikaltër të qytetit e pranojnë me vështirësi që një nga futbollistë më me vlerë të fuqizojë rivalët e përjetshëm, vetëm nëse kjo sjell kundërpesha teknike si emri i Paulo Dybala.

Inter kërkon të përkthejë në para’ të gjithë këtë telenovelë që ka kaluar kufijtë e futbollit, që nga presioni i agjentes, kërkesat ekonomike dhe refuzimi për të zbritur në fushë. Ndërkohë skuadra tjetër e interesuar, Napoli po del ngadalë nga skena e merkatos. Shumëkush mendon edhe se Icardi do të vazhdojë luftën me Interin duke diktuar qëndrimin e detyrueshëm të paktën deri në muajin Janar.

Skuadra e tij ligjore synon të padisë Interin për ta detyruar klubin që të luajë në 10% të ndeshjeve, në bazë të artikullit 15 të statutit të FIFA-s.

Megjithatë skuadrat që kërkojnë shërbimet e Icardit në Serie A nuk mungojnë sepse përveç bardhezinjve dhe Napolit për Mauriton interesohet edhe Roma, madje duke iu referuar gazetës Il Messagero verdhekuqtë e kanë seriozisht për argjentinasin. Roma ka gati një ofertë prej 40 milionë eurosh plus kartonin e Edin Dzekos të cilin Conte e do me çdo kusht te Interi për kartonin e Icardit. Edhe për sulmuesin Roma ka përgatitur një ofertë prej 7 milionë eurosh në sezon përfshirë edhe bonuset që do ta ish-kapitenin zikaltër lojtarin më të paguar në kryeqytetin italian.

Juventusi ndërkohë qëndron në dritare i gatshëm për të përfituar dhe për ta marrë Icardin me një shifër jo më të lartë se 40 milionë euro në ditët e fundit të merkatos, ndërkohë që Interi dëshiron ta çojë te Roma por gjithçka është në dorë të sulmuesit.