Shëndet Infarkti, të gjitha shkaqet që mund t’i shmangni

Infarkti, të gjitha shkaqet që mund t’i shmangni

Infarkti nuk shkaktohet vetëm nga kolesteroli i lartë në arterie ose thjesht nga kequshqyerja apo mosha e madhe e një personi. Ndonjëherë kjo gjë ndodh edhe si pasojë e rrethanave të jashtme. Ja disa këshilla se si mund të shmangni faktorët që mund të shkaktojnë infarktin

Temperaturat e larta

Sipas statistikave ndërkombëtare, i nxehti shkakton infarkt. Bëhet fjalë për një reagim të organizmit jo vetëm nga temperaturat e larta, por edhe nga dehidratimi, faktorë që e bëjnë gjakun më të trashë. Përveçse nuk duhet të dilni në orët më të nxehta dhe aq më pak të bëni ushtrime fizike, një zgjidhje e mirë për të luftuar të nxehtin është që të pini sa më shumë ujë gjatë gjithë ditës për të hidratuar organizmin.

Bëni kujdes me dushin e nxehtë

Çuditërisht, banjat me ujë shumë të ngrohtë kanë të njëjtin efekt si edhe dielli i nxehtë. Nëse ndryshimi mes temperaturave të jashtme (jashtë dushit) me ato të ujit është shumë i ndjeshëm, presioni i gjakut mund të bjerë papritmas për shkak të zgjerimit të enëve të gjakut. Ekspertët këshillojnë që uji i banjës ose i dushit të jetë i vakët, pak a shumë sa temperatura e trupit, ose rreth 36 gradë Celsius.

Ngrënia në orët e vona të natës

Në shumë vende është e zakonshme të hash darkë përpara orës 7:00 të mbrëmjes, ndërsa në vende të tjera hahet nga ora 9:00-10:00 e natës. Por kjo gjë duket se nuk është shumë e shëndetshme, as për një gjumë të qetë dhe as për mirëqenien e zemrës. Gjendja përkeqësohet sidomos te meshkujt, pasi ata ushqehen shpeshherë në orë të vona. Është vërtetuar se personat me këtë mënyrë jetese, vuajnë nga mbipesha, hipertensioni, rezistenca e insulinës dhe përqendrimi i lipoideve (yndyrave në gjak). E gjithë kjo përcakton një rritje të rrezikut të sëmundjeve koronare të zemrës deri në 27%.

Ndotja

Nëse në ajrin që thithim, përqendrimi i O3 (Ozoni 3) tejkalon 10 g/m³, efektet që shkaktohen tek arteriet që ushqejnë zemrën dhe trurin janë negative. Këto nivele ndotjeje e përkeqësojnë gjendjen e shëndetit të personave të cilët vuajnë nga një shqetësim në muskujt e zemrës.

Zhurma e avionëve

Të jetosh pranë një aeroporti përbën rrezik për shëndetin e zemrës. Është demonstruar se personat që jetojnë në këto zona, kanë 20% më shumë të ngjarë të vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare, pas rritjes së tensionit të gjakut që shkaktohet nga zhurmat.

Trishtimi

Nëse ndiheni të trishtuar për diçka dhe nuk dini se si të “dilni” nga kjo gjendje, atëherë kërkoni ndihmë. Është e rëndësishme që të riktheheni të jeni “vetvetja”, jo vetëm për shëndetin fizik, por edhe sepse mërzitjet e dëmtojnë zemrën. Në këto kushte, një person kapërcen vaktet e ngrënies dhe të fjetjes, ndërsa sasia e kortizolit në organizëm rritet.