Bota Intervista ku fitoi propaganda/ Putin: Amerika nxori xhindin nga shishja kur bombarduan...

Intervista ku fitoi propaganda/ Putin: Amerika nxori xhindin nga shishja kur bombarduan Beogradin

Ishte një intervistë ku fitoi propaganda. Kështu e analizon CNN dhe BBC rrëfimin e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, të dhënë për gazetarin Tucker Carlson dhe rrjetin e tij mediatik.

Shefi i Kremlinit, e nis intervistën duke deklaruar se Shtetet e Bashkuara lëshuan xhindin nga llamba me bombardimin e ish- Jugosllavisë, veprim të cilin e konsideron shkelje të kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të drejtën ndërkombëtare. Përmendi sërish kërkesën për një rend të ri botëror, me pretendimin se balanca e fuqisë ka ndryshuar. “Kur u bëra president në vitin 2000, mendova – Në rregull, çështja jugosllave ka marrë fund, por ne mund të rivendosim marrëdhëniet dhe të hapim derën nga e cila Rusia po përpiqej të hynte”, nënvizon Putin.

Ai flet më pas për shanset e një lufte botërore apo bërthamore, për të cilën akuzon perëndimin se po e kërkon dhe e nxit, siç thotë, “për të shtuar frikën nga kërcënimi imagjinar rus”. Pyetjes nëse po shqyrton pushtimin e Polonisë, Letonisë dhe vendeve fqinje u përgjigjet kështu:

“Kjo ndodh vetëm në një rast, nëse Polonia sulmon Rusinë. Pse? Sepse nuk kemi asnjë interes në Poloni, Letoni, apo në ndonjë vend tjetër. Pse do ta bënim ne atë? Ne thjesht nuk kemi asnjë interes. Është thjesht një kërcënim”, tha Putin.

Vladimir Putin, në mesazhin e tij për Perëndimin e udhëhequr nga SHBA-të, thotë se “Rusia nuk do të mposhtet kurrë në Ukrainë” dhe kërkon nga NATO që të pranojë fitimet territoriale të Moskës. Përfundimin e konfliktit me Kievin e lidhi drejtpërdrejtë me ndalimin e ndihmave amerikane për shtetin e Zelenskit.

Ndërsa foli edhe për raportet me Uashingtonin, duke konfirmuar se nuk ka pasur asnjë komunikim me presidenti Joe Biden pas shkurtit të dy viteve më parë. Nuk harroi të theksonte vlerësimin e lartë për ish presidentin Donald Trump, në atë që, në vend të një interviste, u shfaq si një nga monologët e tij klasikë me pak pyetje nga gazetari.

Në fakt, Vladimir Putin ligjëroi, bënte shaka dhe herë pas here dukej i egër – por jo me atë që kishte përballë. Tucker Carlson qeshi, dëgjoi – dhe më pas dëgjoi sërish.

Gjatë takimit të shumëpërfolur të amerikanit me presidentin rus, fytyra e tij nuk arriti të maskonte magjepsjen dhe emocionet. Sidomos kur premtimi i Putinit për një mësim historie prej 30 sekondash u bë një histori prej 30 minutash. Por në pjesën më të madhe, Carlson dukej se pajtohej me atë që po i thoshte presidenti rus.

Putin ishte plotësisht në kontroll të bisedës dhe intervistuesi mezi mori disa fjalë. Në vend që ta shtynte liderin rus – të paditur si kriminel i dyshuar lufte – dhe të sfidonte pohimet e tij të rreme, Carlson u largua nga kjo pistë duke folur për Zotin dhe shpirtin rus.