Kryesore Ish-zëvendësi i Berishës: Kërkesa për të rrëzuar Ramën me dhunë, një përpjekje...

Ish-zëvendësi i Berishës: Kërkesa për të rrëzuar Ramën me dhunë, një përpjekje hajdutësh për pushtet

Ish-deputeti i PD dhe ish-zëvendëskryeministri, njëkohësisht ish-kryebashkiak i Durrësit, Bashkim Kopliku, ka reaguar ashpër për protestën e 16 shkurtit të thirrur nga ana e opozitës. Ai thotë se kjo është një përpjekje hajdutësh për të ardhur në pushtet nëpërmjet dhunës.

“Rrëzimi me dhunë i pushtetit demokratik, është sjellje e partive bolshevike, komuniste, fashiste, naziste etj, ku mund të rreshtohen edhe shumë ekuivalentë të tjerë të partive të tilla.

Pushteti në një vend demokratik, merret vetëm me vota. Nëse votimi nuk është i përkryer, opozita ka për detyrë të përpiqet në mënyrë legale të përmirësojë procesin e votimit, duke kërkuar edhe ndihmën e miqve tanë demokratë, e kryesisht ShBA dhe BE.

E di zjarrin që duan t’i vënë vendit, me sofizmat që “ky, pushteti i PS, është një regjim jodemokratike” etj, që nuk ia vlen t’i përsërisim këtu.

Po u përgjigjem shkurt këtyre sofizmave: Shqipëria është vend demokratik, gjë që e garanton qenia e saj anëtare e NATO-s, pa pasur nevojë për prova të tjera.

Nuk ka asnjë nga aleatët e Shqipërisë, ta ketë klasifikuar Shqipërinë aktuale si vend jodemokratik, e të rekomandojë marrjen me dhunë të pushtetit në Shqipëri..

E shoh protestën me orientimin për rrëzimin e një pushteti legal, me dhunë, pra në mënyrë ilegale, si përpjekje hajdutësh për të ardhur në pushtet, për të vjedhur.

Natyrisht, respektoj opozitarët e qeverisë, të cilët vijnë në pushtet duke marrë votat e zgjedhësve.

Shpresoj shumë se opozita bolshevike të mbesë me fare pak përkrahës datën 16, gjë që do ta ngrejë shqiptarin në sytë e botës demokratike: kemi shumë faje tonat, për të larë para botës, duke filluar me pranimin e pushtetit komunist që nga 1944 e deri në 1990, e duke vazhduar me shkatërrimin e vendit tonë në 1997 etj. etj.

U bëj thirrje protestuesve, të protestojnë në mënyrë paqësore, pa u bërë mish për top i politikanëve të etur për pushtet për vete, e jo për popullin.

Por, u bëj thirrje edhe organeve të shtetit, të kryejnë detyrat e tyre kushtetuese, duke vënë para forcës së ligjit ata që do ta thyejnë atë”, shprehet Kopliku.