Opinione Italia e shpëtuar prej presidentëve

Italia e shpëtuar prej presidentëve

Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella

Nga Gjergji Kajana

Në sistemin politik italian, që ka në qendër Parlamentin, Presidenti i Republikës ushtron funksione legjislative (dekretimi i ligjeve, shkrirja e Parlamentit), ekzekutive (emërimi i kryeministrit e ministrave, drejtimi i Forcave të Armatosura) e gjyqësore (drejtimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ushtrimi i faljes ose uljes së dënimeve). Prej vitit 1948, kur Italia zgjedh në Parlament Presidentin e Republikës, Mattarella do të jetë i dyti kryetar shteti rizgjedhur për një mandat të dytë. Ai do të mbajë detyrën deri në 2029, duke plotësuar një periudhë 14-vjeçare në krye të Republikës. Ky fakt e bën rizgjedhjen e tij të veçantë, duke fotografuar njëkohësisht paaftësinë e një Parlamenti tejet të ballkanizuar për të qenë në gjendje të marrë vendime. Rizgjedhja nuk është lajm negativ për Italinë por detyrimisht i keq për partitë e saj parlamentare, që në procesin e zgjatur të (mos)zgjedhjes së Presidentit ritreguan gjendjen e tyre paralitike.

Për Italinë rizgjedhja e Mattarella-s implikon vazhdimin e qeverisë Draghi, i cili u thirr prej tij si kryeministër kur sistemi politik u bllokua në mes të një vale të rrezikshme pandemike dhe zgjedhjet e parakohshme u përjashtuan prej vetë Presidentit si mundësi e zgjidhjes së krizës. Draghi, i cili përshëndeti menjëherë rizgjedhjen e Mattarella-s, po përmbush me sukses dy objektivat kryesore të qeverisjes së tij: çuarjen para në mënyrë efikase të planit të vaksinimit të italianëve (kryer nga 80.6% e popullsisë) dhe programimin efikas të Planit Kombëtar të Rimëkëmbjes e Qendrueshmërisë, i nevojshëm për të përfituar rreth 200 miliardë eurot e programit të asistencës së BE-së Next Generation parashikuar për të luftuar efektet e pandemisë mbi ekonominë.

Për partitë politike (mos)zgjedhja e Presidentit ishte një Vaterlo, fotografim i faktit se nuk janë në gjendje të dialogojnë frytshëm mes tyre e brenda vetes. E djathta del prej garës më e përçarë se kurrë, duke bërë përsëri publike mosmarrëveshjet mes një Lige (Salvini) e Vëllezërve të Italisë (Meloni) të cilët rivaliteti i brendshëm i dënon të mos jenë konkurrues sa potenciali i tyre. Kjo përçarje i çoi vjet në moszgjedhjen e kandidatëve të aftë për të konkurruar denjësisht për fitore në bashkitë e mëdha të Torinos, Milanos, Bolonjës, Romës e Napolit dhe mund të cënojë aftësinë e tyre në zgjedhjet parlamentare të 2023-shit. E majta nxjerr në pah taktikën pritëse të Partisë Demokratike, e cila në strategjinë e sekretarit Letta pret të lidhet në aleancë me një forcë po aq të përçarë sa e djathta si Lëvizja 5 Yjet. Në këtë këndvështrim fakti që Draghi mbetet kryeministër e nuk zgjidhet në presidencë (rol për të cilin shihej si i mundshëm dhe për të cilin ndihej i përshtatshëm) shpëton partitë nga konflikte të mëtejshme që mund të paralizonin lindjen e një qeverie te re dhe shkaktonin zgjedhje të parakohshme që mund të ngadalësonin vaksinimin e Planin e Rimëkëmbjes.

Italia po jeton prej tre dekadash brenda asaj që kronistët e saj politikë e cilësojnë Republika e Dytë, lindur në 1992-shin kur hetimet gjyqësore zbuluan publikisht korrupsionin brenda partive historike të Republikës së Parë, duke i fundosur ato. Në 1994-2008 kualicionet fituese të zgjedhjeve shprehnin qeveritë dhe Presidenti i Republikës, zgjedhur nga marrëveshjet në Parlament, ushtronte në thelb funksionet formale legislative, ekzekutive e gjyqësore parashikuar nga Kushtetuta. Kuadri ndryshoi në favor të aktivizmit presidencial në 2011, kur – nën goditjet e krizës së borxheve që po fundoste ekonomikisht Evropën Jugore e Irlandën dhe preku Romën – Presidenti Napolitano imponoi qeverinë teknike Monti, përkrahur nga partitë kryesore. Ato vepruan me ndjenjë përgjegjshmërie përballë krizës por reflektuan edhe pafuqinë e tyre për ta zgjidhur atë pa i kaluar barrën një tekniku (atëherë Monti, si sot përballë pandemisë Draghi). Kriza ekonomike dobësoi sistemin e partive të Republikës së Dytë dhe forcoi populistët e djathtë (Liga, Vëllezërit e Italisë) e ata tout court (Lëvizja 5 Yjet), triumfi i të cilëve imponoi qendrueshmërisht rolin e Presidentit si regjizor e shpëtimtar i krizave të partive. Në sekuencë, prej 2018-s Mattarella ka mbrojtur përkatësinë italiane në Eurozonë përballë kërkesës së partive Liga e Lëvizja 5 Yjet për një ministër ekonomie euroskeptik, ndërmjetësuar deri në zgjidhjen e një krizë diplomatike Romë-Paris, përgjigjur përmes një note presidentes së Bankës Qendrore Evropiane Lagarde kur kjo pretendonte fillimisht rol të tërhequr të këtij institucioni në asistencën vendeve të goditur nga Covid-19 dhe imponuar qeverinë Draghi, ku përfaqësohen me ministra gjithë partitë kryesore përveç Vëllezërve të Italisë. Italia ishte dhe mbetet një republikë parlamentare por gjithnjë e më tepër qëndrueshmëria e sistemit të saj politik varet nga veprimet e kreut të saj të shtetit.