Kryesore Kush janë kandidatët e Berishës për zgjedhjet e pjesshme lokale

Kush janë kandidatët e Berishës për zgjedhjet e pjesshme lokale

Rreth 14 mijë anëtarë të Partisë Demokratike u thirrën për të votuar këtë të diel përmes primareve, kandidatin që duan t’i përfaqësojë në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 Marsit për kryetar bashkie në Shkodër, Durrës, Vorë, Dibër, Lushnje e Rrogozhinë.

Votimi për 22 kandidatët në garë, që më herët kaluan filtrin e Komisionit të Rithemelimit nisi në orën 08:00 të mëngjesit për t’u mbyllur pas orës 17:00, kur ishte edhe orari zyrtar, orar që u shty për shkak se kishte ende qytetarë që dëshironin të votonin. Në Shkodër ai vijoi deri në orën 19:00.

Komisioni i Rithemelimit në Partinë Demokratike tha se pjesëmarrja në këto Primare ishte më e lartë edhe se Referendumi i zhvilluar më 18 Dhjetor.

Por cilët janë kandidatët e zgjedhur?

Në Durrës garën e fitoi Ardian Muka, i cili u  zgjodh me 1162 vota.

Për Bashkinë e Lushnjes demokratët e kësaj dege zgjodhën kandidatin Elton Bano, me 671 vota.

Premtim Kryemadhi është kandidati fitues në këto primare për Bashkinë e Dibrës. Ai mori 424 vota.

Në Vorë anëtarët e Partisë Demokratike zgjodhën me 277 vota, Lulzim Vranën.

Ndërsa në Rrogozhinë u shpall fitues kandidati Hekuran Xhani. Ai mori 211 vota.

Në Shkodër, aty ku kandidatë janë Alfred Kocobashi, Arben Maliqi, Astrit Bushati, Bardh Spahia, Irena Shestani Shala dhe Irma Kopliku Alushi, procesi i votimit u mbyll rreth 2 orë më vonë nga orari zyrtar, për shkak të fluksit të lartë.