Kryesore Kaloi vetting-un, Komisioneri Publik ankimon vendimin: Besim Hajdarmataj të shkarkohet

Kaloi vetting-un, Komisioneri Publik ankimon vendimin: Besim Hajdarmataj të shkarkohet

Besim Hajdarmataj

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për Besim Hajdarmataj, prokuror pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë.

Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin e KPK dhe rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për të paraqitur ankim, vlerëson se vendimi për konfirmimin në detyrë të Besim Hajdarmataj është i cenueshëm në tërësinë e tij dhe përmban shkaqe të mjaftueshme ligjore për t’iu paraqitur juridiksionit kontrollues dhe rivlerësues të Kolegjit.

Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e këtij ankimi të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, në përfundim të shqyrtimit të çështjes në seancë publike, të vendosë ndryshimin e vendimit të KPK-së.

Hetimi në KPK për prokurorin ishte kryer për të tri komponentët: pasurinë, aftësitë profesionale dhe pastërtinë e figurës. Duke iu referuar relacionit të Komisionit, Hajdarmataj rezultoi se nuk ka prona të paluajtshme dhe pasuria e tij përbëhej nga disa depozita bankare.

KPK-ja tha se nga hetimi për të gjitha pasuritë dhe dhuratat e deklaruara, nuk janë konstatuar problematika dhe se analiza financiare e kryer, ka dalë pozitive. Edhe në kriterin e pastërtisë së figurës, DSIK kishte dorëzuar një raport me konstatimin se Hajdaramataj nuk kishte kontakte me persona të krimit të organizuar dhe se ishte i përshtatshëm për vazhdimin e detyrës.

Pavarësisht këtyre hetimeve, Komisioneri Publik nuk ka pranon konfirmimin në detyrë të Hajdarmatajt, i cili është përzgjedhur edhe pjesë e SPAK-ut.