Aktualitet Kërkime të ethshme për vaksinën, por shkencëtaret ende s’kanë përgjigje për COVID-19

Kërkime të ethshme për vaksinën, por shkencëtaret ende s’kanë përgjigje për COVID-19

Europa vijon të raportojë mijëra raste të prekura nga Covid-19 çdo ditë, e po ashtu edhe pjesa tjetër e botës.

Në një betejë kaq të ashpër, ende nuk ka asnjë vaksinë që mund të shkatërrojë virusin, pavarësisht se shumë kompani kërkimore, po hulumtojnë në luftë me kohën dhe janë duke zhvilluar më shumë se 20 vaksina. SHBA aktualisht ka testuar një vaksinë tek njeriu, por raportet për efektet e saj, nuk tregojnë ende asnjë të dhënë.

Por edhe nëse vaksina mund të luftojë sëmundjen, duhet shumë punë që ajo të prodhohet masivisht, e të tilla përpjekje mund të zgjasin deri në një vit.

Kompania gjermane CureVac, megjithatë shpreson që në vjeshtë dhjetëra e mijëra persona mund të kenë në dispozicion vaksinën kundër Covid 19.

Por ndërsa kërkimet për zbulimin e vaksinës vijojnë, presidenti amerikan Donald Trump, i ka bërë thirrje institucioneve për aprovimin e dy vaksinave, ajo e malaries, dhe një medikament kundër infeksioneve. Trump i referohet një studimi francez duke thënë se kombinimi i këtyre dy medikamenteve, shkurton jetëgjatësinë e virusit.

“Hidroksiklorokin & azitromicin, të marra së bashku, kanë probabilitetin të shënojnë revolucion në historinë e mjekësisë. Faleminderit! Shpresoj që të dyja të vihen në përdorim sa më shpejt. Njerëzit po vdesin, lëvizni shpejt dhe zoti i bekoftë të gjithë”, shkruan Trump në “Twitter”.

Chloroquine është një nga ilaçet më të vjetra dhe më të njohura anti-malariale dhe ka qenë në qarkullim për dekada, por në vendet e Afrikës nuk rekomandohet për shkak të imunitetit të krijuar nga virusi i malaries.

Në luftë me kohën për zhvillimin e një vaksine janë edhe shkencëtarët britanikë. Studiuesit e Universitetit të Oksfordit po planifikojnë testimin e parë të një vaksine tek njeriu muajin e ardhshëm.