Politika Koalicioni “Shtëpia e Lirisë”, Basha betejë ligjore kundër Berishës dhe Celibashit

Koalicioni “Shtëpia e Lirisë”, Basha betejë ligjore kundër Berishës dhe Celibashit

Partia Demokratike ka ankimuar në Komisionin e Ankimeve dhe Sanksioneve, regjistrimin e koalicionit “Shtëpia e Lirisë” në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit.

PD thotë se regjistrimi duhet të anulohet për shkak se në koalicion, përveç Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokristiane, është përfshirë edhe Komisioni i Rithemelimit të PD, që sipas PD zyrtare nuk është subjekt politik.

“Kërkesa dhe marrëveshja referojnë te një subjekt “Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit”, i cili jo vetëm nuk është i regjistruar si subjekt zgjedhor, por as nuk rezulton të ekzistojë si parti politike”, thuhet në ankim.

PD thotë gjithashtu se një tjetër shkak që duhet të sjellë rrëzimin e vendimit të Komisionerit Shtetëror për të regjistruar koalicionin “Shtëpia e Lirisë” në zgjedhje është fakti se kandidatët e këtij koalicioni zhvillojnë takime me logon dhe emrin e Partisë Demokratike.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, regjistroi koalicionin e partive LSI dhe PDK nën logon “Shtëpia e lirisë” në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit, por nuk futi në listën e anëtarëve të këtij koalicioni Komisionin e Rithemelimit.