Aktualitet Komisioni Europian: Nuk ka rikthim vizash për shqiptarët

Komisioni Europian: Nuk ka rikthim vizash për shqiptarët

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, përmes një postimi në Twitter, ka njoftuar se Komisioni Europian nuk ka pranuar kërkesën e Holandës për rikthimin e regjimit të vizave për Shqipërinë.

“Pas një vlerësimi të kujdesshëm të përmbajtjes së njoftimit të marrë nga Holanda dhe bazuar në informacionet dhe të dhënat e rëndësishme që kemi, Komisioni Europian mendon se në këto rrethana nuk përmbushen kushtet për të aktivizuar mekanizimin e pezullimit të vizave”, shkruan Soreca në Twitter.

“Komisioni Europian sigurisht që do të vazhdojë të monitorojë nga afër plotësimin e kushteve të liberalizimit të vizave për Shqipërinë, si dhe për vendet e tjera që përfitojnë nga lëvizja pa viza. Tani është koha që Shqipëria të bazohet te ky konfirmim i kësaj arritjeje të rëndësishme të vitit 2010 për të ecur përpara me energji të reja në rrugën e saj drejt integrimit europian, në prag të vlerësimit vendimtar të Këshillit Europian në tetor”, përfundon ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë.