Bota Koronavirusi në Itali: Shërohen 2000 persona të tjera, 433 viktima

Koronavirusi në Itali: Shërohen 2000 persona të tjera, 433 viktima

Vazhdon frenimi i rasteve të reja nga epidemia e koronavirusit në Itali. Të dhënat buletinit të Mbrojtjes Civile tregojnë një rënie të personave të shtruar dhe një zbritje të lehtë e rasteve të reja. Në terapitë intensive sot gjenden 2635 persona, 98 më pak se dje. Janë shtruar me simptoma 25.033 persona, një rritje e lehtë në krahasim me dje, 26 më shumë.

Në 24 orët e fundit kanë vdekur 433 persona (dje viktimat ishin 482), duke arritur një total prej 23.660 të vdekurish.

Të shëruarit arrijnë kuotën 47.055, me një rritje në 24 ora prej 2.128 personash (dje ishin deklaruar të shëruar 2.200 persona).

Të prekurit e rinj nga koronavirusi në 24 orët e fundit ishte 3.047 (dje 3.491). Si gjithnjë, këto dy të dhëna duhen analizuar me faktin se janë të lidhura ngushtë me tamponët e bërë. Sot janë bërë 50.708 tamponë (dje 61.725).

Raporti mes tamponëve të bërë dhe rasteve të identifikuara është 1 i sëmurë për 16,6 tamponë të bërë, 6%, në linjë me vlerat e ditëve të fundit: 5,7%.

Numri total i personave që kanë kontaktuar virusin që nga fillimi i epidemisë është 178.972.