Politika Korridor sanitar në tregje, Manastirliu: Respektoni distancimin, jemi në mesin e epidemisë

Korridor sanitar në tregje, Manastirliu: Respektoni distancimin, jemi në mesin e epidemisë

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka bërë një tjetër apel drejtuar qytetarëve shqiptarë, pas lajmeve për dyndje njerëzish nëpër tregje, që të respektojnë masat e ndërmarra nga qeveria për distancimin social.

Sipas ministres, shumë njerëz janë gënjyer nga shifrat e përhapjes së koronavirusit, në krahasim me vendet e tjera dhe kujtuan se ia hodhën edhe kësaj lufte.

“Për fat të keq, në ditët e fundit, të gënjyer mbase nga krahasimi i shifrave të Shqipërisë me ato të vendeve të tjera, shumë prej jush do të kenë menduar se, ia hodhëm dhe kësaj lufte. Jo! E kundërta është e vërtetë. Jemi mu në mesin e një beteje që nuk është ndalur në asnjë moment, me një virus që sot, për shkencëtarë dhe mjekë në mbarë botën, ka më shumë të panjohura, se sa të njohura”, u shpreh Manastirliu.

Ministrja tha se shumë shpejt në tregje do të do të vendoset një korridor sanitar për të ruajtur distancimin social.

“Qeveria ka vendosur të forcojë masat, sidomos aty ku ka grumbullime njerëzish. Në tregje do të vendoset një korridor sanitar, për të ruajtur distancimin social, që është e vetmja mënyrë për ta dobësuar këtë virus të rrezikshëm. Një dobësi që të gjithë duhet ta shfrytëzojmë për ta vënë përfund”, tha ministrja.