Aktualitet Korrupsioni në Bashkinë Dimal, SPAK mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim 6...

Korrupsioni në Bashkinë Dimal, SPAK mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim 6 persona

Katër zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Bashkisë Dimal janë dërguar për gjykim me vendim të SPAK.

Përgjegjësi i shërbimeve pranë Bashkisë Dimal, Arben Guraj, drejtori i Zyrës së Urbanistikës Altin Pali, shefi i IKMT-së, Agim Çunaj dhe Valentina Jançe, ish-shefe e urbanistikës u dërguan për gjykim nën akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës.

Në gjykim u dërguan edhe Vait Koshi, menaxher i një subjekti privat dhe Arjan Demiri, inxhinier.

Hetimet nisën në nëntor 2020 pas denoncimit të një qytetari që iu prish një biznes privat nga bashkia me pretendimin se do të ngrihej një lulishte, por në të njëjtin vend u ngrit një tjetër biznes nga një shtetas me të cilin kallëzuesi kishte një konflikt pronësie.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbi bazën e kallëzimit nr. 155 datë 23.07.2020, ka regjistruar procedimin penal nr. 214, të vitit 2020 për veprat penale, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259/1 i K.Penal, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, prashikuar nga neni 244 i Kodit Penal, “Ushtrim ndikimi i paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal dhe “Shpërdorim detyre“, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Pas analizimit të provave të grumbulluara në kuadër të këtij procedimi penal dhe përfundimit të hetimeve, Prokuroria e Posaçme i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesë për dërgimin e çështjes për gjykim në ngarkim të të pandehurve:

1- Arben Guraj (me detyrë përgjegjës shërbimesh pranë Bashkisë Dimal), akuzuar për veprat penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245/1 /2 dhe 25 i K.Penal, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259/1 i K.Penal, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 244 i K.Penal si dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, parashikuar nga neni 280 i K. Penal.

2- Altin Pali (me detyrë drejtor i Zyrës së Urbanistikës, Bashkia Dimal), akuzuar për veprat penale të “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 248 e 25 dhe 259/2 të K.Penal.

3- Valentina Jançe (me detyrë në kohën e kryerjes së veprës përgjegjëse sektori e urbanistikës prane Bashkisë Dimal), akuzuar për veprat penale të “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 248 e 25 dhe 259/1 të K.Penal.

4- Agim Çunaj (me detyrë përgjegjës i IKMT pranë Bashkise Dimal), akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i K.Penal.

5- Arjan Demiri (inxhinier), akuzuar për veprën penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 i K.Penal.

6- Vait Koshi (menaxher i një subjekti privat), akuzuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 244 I K. Penal.