Aktualitet KPK shkarkon nga detyra anëtaren e Gjykatës së Posaçme

KPK shkarkon nga detyra anëtaren e Gjykatës së Posaçme

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra gjyqtaren e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Marsela Balilin.

Gjatë seancës së mëparshme kur u relatua vlerësimi i figurës së saj, ajo bëri kërkesë për riçeljen e hetimit, por trupa gjykuese vendosi ta rrëzojë në këtë fazë të procesit.

ILDKPKI kishte dorëzuar në KPK një raport me konstatimin se deklarimi nuk është i saktë dhe në përputhje me ligjin. Sipas këtij raporti, gjyqtarja Balili ka kryer fshehje të pasurisë dhe deklarim të rremë.

Marsela Balili e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 si gjyqtare në Gjykatën e Vlorës. Në vitin 2004, ajo është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë, detyrë të cilën e kreu deri në vitin 2009. Me vendim të ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Balilit iu hoq imuniteti dhe u pezullua nga detyra në vitin 2009, pasi Prokuroria nisi një procedim penal ndaj saj dhe bashkëshortit prokuror, Aleksandër Plepi për veprën penale të korrupsionit.

Në fund të procesit, Balili u shpall e pafajshme ndërsa bashkëshorti i saj u dënua me 1 vit burg. Marsela Balili u rikthye në sistemin e drejtësisë me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në vitin 2017 si gjyqtare në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Pas shkrirjes së kësaj gjykate, ajo u caktua përkohësisht anëtare e Gjykatës së Posaçme deri në marrjen e një vendimi nga institucionet e vetingut.