Kryesore KQZ regjistron “Shtëpinë e lirisë” në zgjedhjet e 6 marsit, por nuk...

KQZ regjistron “Shtëpinë e lirisë” në zgjedhjet e 6 marsit, por nuk njeh Komisionin e Rithemelimit

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi regjistron koalicionin e partive LSI dhe PDK nën logon “Shtëpia e lirisë” në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit, por nuk njeh Komisionin e Rithemelimit.

Pavarësisht kësaj të gjithë kandidatët e paraqitur nga ky koalicion janë nga Komisioni i Rithemelimit, asnjë prej tyre nuk është nga LSI dhe PDK.

“Nuk mund të them që pretendimi i përfaqësuesit të PD ishte alogjik por si pretendim nuk ka bazë ligjore. Jemi duke rikonfirmuar një kërkesë të përfaqësuesit të LSI për të patur një koalicion zgjedhor në këto zgjedhje. Lidhur me përmbajtjen të pretendimit të përfaqësuesit të PD, vlerësoj se ai pretendim qëndron, për sa i përket disa aspekteve. Nuk qëndron kërkesa për ta kthyer për plotësim sepse do të ishim në këtë situatë nëse do të kishim mungesë të dokumentacionit përkatës. I kemi të gjithë elementët për të regjistruar një parti politike, kemi dhe diçka më shumë të cilën ne vlerësojmë që është e panevojshme. Jemi në situatën kur kërkesa reflekton konfliktualitet. Kërkesa që reflekton elementë të PD nuk mund të pranohet.

Në vlerësim përfundimtar, unë vendos që të regjistroj si subjekt zgjedhor pjesëmarrës në zgjedhjet e pjesshme vendore për kryetar të bashkisë që do zhvillohen në datën 6 Mars 2022, koalicionin e partive politike Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Demokristiane e Shqipërisë. Emri i koalicionit është “Shtëpia e Lirisë” me shkronjat listore SHL. Partia udhëheqëse e koalicionit është partia Lëvizja Socialiste për Integrim. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, u shpreh kryetari i KQZ Ilirjan Celibashi.

Lëvizja Socialiste për Integrim i dërgoi më 1 shkurt Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për regjistrimin e koalicionit të ri “Shtëpia e Lirisë”, në kuadër të zgjedhjeve të pjesshme zgjedhore të 6 marsit në 6 bashki të vendit.