Aktualitet Kreu i SPAK: Grupet kriminale shqiptare janë të egra, kanë zgjeruar aktivitetin

Kreu i SPAK: Grupet kriminale shqiptare janë të egra, kanë zgjeruar aktivitetin

Grupet kriminale shqiptare kanë zgjeruar aktivitetin në shumë vende të botës, thotë kreu i SPAK, Arben Kraja.

Në një takim të përbashkët të organizuar në Tiranë mes SPAK dhe Antimafias Italiane, Kraja u shpreh se një tjetër karakteristikë e grupeve shqiptare është dhe egërsia me të cilën veprojnë.

Po kështu, sipas kreut të SPAK, grupet shqiptare kanë investuar edhe në përdorimin e teknologjisë.

“Gjithmonë e më shumë krimi i organizuar shqiptar rrit aktivitetin e tij. Nuk ndryshon përmbajtje por ndryshon formë duke u përshtatur me mbijetesën për të eliminuar grupet e tjera dhe për të kapur tregjet. Karakteristikat e tij janë të veçanta në disa pikëpamje; Nga pikëpamja e shtrirjes.

Më shumë shohim elementë të aktivitetit kriminal shqiptar që shtrijnë aktivitetin e tyre duke filluar që nga vendet e origjinës të Amerikës Latine ku fillon transporti i drogërave të forta, vazhdojnë aktivitetin e tyre në vende tranzit ku kalon droga, kanë aktivitetin e tyre në vendet ku konsumohet droga, në vendet e BE. Ushtrojnë aktivitetin e tyre edhe në vende të tilla si në BE. Një shtrirje e tillë tregon dhe forcën e aktivitetit kriminal.

Karakteristikë tjetër është egërsia në kuptimin e pasojave që sjellin. Shohim përditë rastet e vrasjeve të ndodhura në të gjitha këto zona që unë përmenda, qoftë shtetasve shqiptarë të përfshirë në aktivitete kriminale, por dhe shtetasve të huaj. Shohim gjithmonë e më shumë përdorimin e teknologjive të fundit që ekzistojnë sot për nevojat e aktivitetit kriminal. Telefona të enkriptuara, rrjete të enkriptuara”, deklaroi kreu i SPAK Arben Kraja.