Politika Kryemadhi: Ne nuk mendojmë për vete, por vetëm për shqiptarët…

Kryemadhi: Ne nuk mendojmë për vete, por vetëm për shqiptarët…

Monika Kryemadhi shprehet se Lëvizja Socialiste për Integrim është një forcë politike që mendon vetëm për shqiptarët.

Ajo akuzon kryeministrin Edi Rama se po grabit baxhot e djathit dhe se po importon nga jashtë qumësht pluhur për të vrarë shqiptarët.

“Protesta jo vetëm në Tiranë, por në çdo qytet të Shqipërisë. Ka dy lloj politikanësh: Një lloj që lidhet vetëm me karrigen, ndërsa ka edhe të tjerë që djegin mandatin dhe bëhen bashkë për të përmbysur njëherë e mirë këtë krim.

Ne flasim për një polici të kapur nga krimi, flasim për një administratë ë e cila nuk ekziston. Ne sot përballemi me deklarata nga më të ndryshme, me fyerjet, por ne e kemi marrë vendimin për të qenë të thjeshtë si ju dhe për të aspiruar drejt Europës.

Kemi 30 vjet që vuajmë tranzicionin, vuajmë pasigurinë dhe vuajmë mungesën e shtetit. Sot është momenti i fundit ku institucionet duhet të jenë të ndara ku shëndetësia të jetë e barabartë mes të pasurit dhe të varfrit. Sot ndihemi të revoltuar, sepse qeveria drejton në formë të padrejtë në trajtimin e qytetarit në sistem. Në tre vitet e fundit janë larguar mbi 400 mijë shqiptarë. Ka ardhur koha që ti japim fund stabilitetit të krimit, ka ardhur koha që të destabilizojmë këtë  stabilitet. 

Ne nuk duam stabilitet për diktatorët e krimit, ne duam një të ardhme të ndritur dhe të begatë, ku shqiptarët të kenë arsim dhe shëndetësi të barabartë.

Nuk mund të vijojmë më me ilaçe të skaduar nuk mund të vazhdojmë me një qeveri, e cila në vend që të ndalojë kriminelin ndal viktimën. E dimë se vendimi i djegies së mandateve është një vendim ekstrem. Kapja e shtetit nga krimi e detyroi opozitën të hiqte dorë nga mandati.

Mandatet e LSI nuk janë mandatet tona, por te njerëzve që besuan tek vlera dhe programi i LSI, sepse ne kemi treguar se dimë t’i mbajmë njerëzit dhe ne iu japim shansin atyre për të krijuar mundësi edhe për njerëz të tjerë”, tha Kryemadhi.