Kosova “Kufijtë”, Haradinaj godet Thaçin me Isa Boletinin

“Kufijtë”, Haradinaj godet Thaçin me Isa Boletinin

Kryeministri Haradinaj ka zgjedhur që t’ia çojë me anë të Isa Boletinit, mesazhin e radhës Hashim Thaçit, se ka qenë e mbetet kundër ndryshimit të kufijve.

Duke përkujtuar 103-vjetorin e vrasjes së patriotit të madh kosovar, Haradinaj futet dhe në politikën e ditës: “Me vet veprimtarinë e tij jetësore na la një porosi, se atdheu nuk tjetërsohet dhe nuk vihet në Pazar”, shkroi Haradinaj në rrjetet sociale.

Nga ana tjetër, Thaçi ka qenë thjesht zyrtar në fjalët e tij përkujtuese.

“U bënë 103 vjet nga vrasja e Isa Boletinit, njërit prej udhëheqësve kryesorë të kryengritjeve shqiptare. Bashkimi kombëtar dhe fuqizimi i kombit tonë ishte porosia që na e la Isa Boletini. Përpjekjet e tij një shekull më parë për çlirimin e trojeve etnike përbëjnë ende frymëzim për shumë breza të rinj dhe amaneti i Isa Boletinit dhe patriotëve të tjerë, që dhanë jetën për bashkimin e shqiptarëve, na obligon edhe sot që të punojmë pareshtur për përmbushjen e aspiratave tona”, ka shkruar dhe Thaçi në Facebook.