Opinione Kur liderët na trajtojnë si fëmijë

Kur liderët na trajtojnë si fëmijë

Mauro Bonazzi – Corriere

Në luftë nuk ka kohë për të debatuar, duhet vepruar. Duhen lënë mënjanë divergjencat për të luftuar së bashku. Për pjesën tjetër do të ketë kohë. Që jemi në luftë na është përsëritur pa fund përgjatë këtyre muajve. Në Itali, në Evropë, në botë, të gjithë liderët më të rëndësishëm politikë kanë përdorur këtë lloj gjuhe për të justifikuar vendimet dhe masat. Pastaj lufta mbaron dhe rikthehemi te ndërtimi. Po sot? Lufta ka mbaruar apo vazhdon? Atëherë çfarë duhet të bëjmë: të dalim, të qëndrojmë në shtëpi, çfarë? Çuditërisht, vetëm një udhëheqës botëror nuk i përdori kurrë metaforat e luftës: Angela Merkel. Ndoshta sepse në Gjermani ato të rikthejnë në kujtesë një të kaluar ende shumë problematike; mbase për shkak të karakterit të saj kaq të kontrolluar, pak të prirë për të kërkuar fraza me efekt të fortë. Është fakt se Angela Merkel kurrë nuk evokoi skenarë lufte: ajo u përpoq të shmangte shumë metafora, dhe kur i përdori ato, foli për “shtresën e hollë të akullit”  apo “vrapim në distanca të gjata”. Ajo foli për një perspektivë të përkohshme kur të tjerët u përqendruan te fjalët “këtu” dhe “tani”. Iu drejtua gjithmonë inteligjencës së njerëzve, jo emocioneve të tyre.

A është rastësi që Gjermania po ia del më mirë se sa shumë vende të tjera? Padyshim që po tregon se fjalët kanë rëndësi, veçanërisht në politikë. Sepse janë fjalët ato që na ndihmojnë të vendosim rregull në realitetin përreth nesh: dhe fjalët, siç thotë sofisti Gorgia, janë si ilaç, ata mund të kurojnë ose të helmojnë, kjo varet nga mënyra sesi i përdorim. Shumë dyshojnë se përdorimi i metaforave të luftës, ky evokim i përhershëm i një klime emergjente, synon planin për të kufizuar liritë demokratike. Me ne ka më shumë të ngjarë që kjo gjuhë të jetë shfrytëzuar për të fshehur pasiguritë dhe në disa raste, edhe mungesën e përgatitjes. Edhe në rastin e dytë nuk i bën mirë demokracisë, që është një sistem qytetarësh të përgjegjshëm, e jo fëmijësh që duhen frikësuar apo ngushëlluar sipas rastit.