Kulturë Kur qau Filip Çakuli dhe si i shpëtoi Koço Devole burgut në...

Kur qau Filip Çakuli dhe si i shpëtoi Koço Devole burgut në Itali

Nga Mitro Çela

E pyeta Filipin: -Kaloi një javë pa Koçon. Të mungon?

-Ndjehem si peshku pa ujë! -ma ktheu ai. -Ishte njeriu im më i afërt. 42 vjet bashkë. U njohëm te revista “Hosteni”. Unë djalë. Ai humorist i madh. Vazhduam bashkënë koncerte. Hartuam bashkë skenare dhe skeçe. Bashkë te “Fiks Fare”, bashkë me pushime në Sarandë. Ai ishte pjesa ime e dytë ose isha unë pjesa e dytë e Koços.

-A mund të qajë Filip Çakuli?

-Kam ndjerë dhimbje të madhe, por nuk kam derdhur lotë as për humbjen e mamasë e as për vdekjen e babait. Si ndodhi që më rrodhën lotët? U futa në zyrën e Koços… Bosh… Gazetarët kishin vendosur mbi tavolinën e punës së tij një tufë me lule. Pashë dy palë syze(njëra e dëmtuar),kompjuterin,një cigare të lënë përgjysmë,letra,disa karikatura… Ngriva. U ula në karrige. Ndenja ca minuta, fshiva sytë dhe pa i folur askujt u futa në zyrën time.

-Të ngushëlluan? -vazhdova të këmbëngul me pyetje unë.

-Si asnjëherë. Mbi 1000 telefonata. Mesazhe pa fund.

-Koço Devole në skenë ishte aktor i madh, por jashtë skene ishte i heshtur, i mbyllur, dukej si i bezdisur nga njerëzit.

-E ke gabim, -ma ktheu Filipi. -Ai ishte shumë popullor, në skenë dhe jashtë saj. Ishte humoristi më i madh i Shqipërisë. Qe aktor, regjisor, bënte karikatura me ide. Qe skenarist. Ai, si humorist, mund të krahasohet me Qamil Buxhelin. Kur ecnim rrugës me Koçon, gjenim belanë. E ndalonin qytetarët: “Bëjmë një foto? Dua një foto tjetër me djalin”. Kishte të tjerë që kërkonin autograf. Mua më kërkonin të ndërhyja te Koço që të shkonte të luante në estradat e Shkodrës, Fierit, Vlorës, Tiranës. Me Koçon donte të dilte në skenë Skënder Sollaku, Zef Deda, parodistët e Vlorës, Aleko Prodani, Fadil Hasa. Nuk gjen regjizor që nuk donte ta kishte aktor në filmat e Kinostudios ose në telenovelat e televizioneve.

Po koncertet në Pallatin e Sportit, në estradën e Tiranës, në Pallatin e Kongresit a mund të më gjesh njeri që mund t’i bënte si Koçoja? Jo dhe jo. Po pse? Sepse ai ishte si magjistar. I mblidheshin aktorët e këngëtarët, që nga Vaçe Zela, Tonin Tërshana, Liljana Kondakçi, Luan Zhegu, Parashqevi Simaku, Aleksandër Gjoka e të tjerë.

Nuk mund të gjesh mes aktorëve njeri punëtor, iniciator, fantazist si ai. I palodhur dhe i rreptë në punë, por i dashur dhe i respektuar pas punës.

Unë bëhem kurioz dhe e pyes: -Koçon e mbaje për vete apo ishte edhe pjesë e familjes?

-Kur jetonim në Lushnje, Koço hynte dhe dilte te ne si në shtëpinë e tij. Bënte humor me Vasilikën, luante me dy djemtë e mi, Zhanin dhe Orestin. Ata qeshnin me lot, sepse ai ishte aktor jo vetëm në skenë, por edhe mes fëmijëve.

-A ka ardhur Koço në Dërmisht?

-Sa herë që shkonim në Sarandë, ngjiteshim në fshat, -thotë Filipi.-Dhe çdo herë që shkonim babai bënte festë. Mamaja gatuante pulën që therte babai. Bënte pita.

Mbi tavolinë shtrohej raki e verë. Ndërkohë hapej fjala në fshat. Shkonim në klub, tavolinat plot. Dikush qeraste me një gotë verë, dikush me raki,një tjetër me kafe. Koço bënte humor: tregonte barcaleta. Njerëzit qeshnin me lot. Bënin shaka.

Largoheshin të lumtur. Babai mburrej dhe krekosej se kishte mik shtëpije të madhin Koço Devole! Pa ikur mirë nga fshati më pyeste se kur do vinim përsëri… Për dy-tre vjet nuk vijmë, ia ktheja unë. U harxhojmë ju dhe fshatin. “Lëri këto!

Koçoja bie në shtëpi dhe në fshat humor. Nuk i sheh sa të gëzuar janë njerëzit?!”- më thoshte babai.

-Kam mendimin se humori i madh bëhet vetëm në vatan,-them unë përsëri.-Pse mori arratinë Koçoja përtej oqeanit?!

-Ai iku në Amerikë me familjen në vitin 1998. Kishte arsye. Vendi ishte sketerrë. Bandat qeverisnin vendin. Estradat u mbyllën. Humoristët luani tavëll ose me letra. Biznesi u tha. Nuk kishte para për sponsorizime. Arti nuk bëhet nga shtëpia. Një ditë më mori në telefon dhe më tha: “Filip! Po të ra rruga nga Amerika, të pres në shtëpi.” Pas disa muajsh një biznesmen më pagoi biletat. Na dha edhe ca para xhepi e bashkë me gazetarin Genc Tirana hipëm në avion. Vizitën e parë në Nju Jork e bëmë në shtëpinë e Koços. Jetonte në mes të pyllit. Shtëpi e bukur. Pronar ishte dhëndri, djalë i zoti, nga Kosova. Ishte biznesmen. Kishin dy vajza. E pyeta një ditë Koçon: “Çfarë bën në Amerikë?”

-“Dy vjet më parë jepja koncerte për emigrantë. Qytet më qytet. Bashkë me Pëllumb Kullën, Agim Krajkën, Xhevahir Zenelin, Anita Bitrin etj. Por u lodha. U mërzita, u bezdisa. Tani nuk bëj asgjë. Jetoj si i vdekur. Dal për peshk. Rrallë për gjah. Fle. Ëndërroj për humorin.

-Pse nuk vjen në Tiranë?

-Të tund derën apo të mas rrugët?

-Jo. Hajde të punojmë bashkë në Top Channel!

-Por te Top Channel-i ka zot hauri. Pa ftesën e Tanit, nuk e lë Amerikën”…

-U ktheva në Tiranë. I thashë Tanit: “Sikur të marrim në punë Koço Devolen?!”

-Bën shaka! Ai jeton në Amerikë? Vjen të punojë me ne? Unë e kam adhuruar Koçon që fëmijë. Mes shokëve tregonim batutat e tij. Në çdo kohë derën e Topit e ka të hapur.”

-Pas disa ditëve Koço mbërriti në Tiranë. Biletën e avionit ia preu Tani. Pimë kafe të tre. Më i lumturi ishte Tani.

E pyes Filipin: -“Fiks Fare” në vitet 2000 ishte një risi në televizion dhe në humor. U përshtat Koçoja?

-Ai kishte lindur për të bërë çdo gjë. Bënte skenare. Dilte në skenë. Imitonte, shkruante. Solli në jetë shumë personazhe. Bënte monitorimet me Doktorin, Palomën, Fonin. Improvizonte. Shumë miq e shokë më thoshnin se jam me fat që punoj me Koçon. Kur mungonte ndonjë ditë në ekran, kërciste telefoni: ”Ku është Koçoja?!”

-Për arsye të mos arsyes Koço u arrestua në Itali. Politikanët bënë sehir?- e pyes unë dhe Filipi më thotë:

-Përkundrazi. Sali Berisha më thirri në Parlament. Më tha se në Itali kishte mik një avokat të njohur. “Zoti Biondi ka qenë edhe ministër i drejtësisë në qeverinë e Berluskonit. Do flas me avokatin. Ai do bëjë të pamundurën për ta nxjerrë të pafajshëm. Nuk ka mundësi që një humorist kaq i madh si Koço Devole të merret me drogë.” Më thirri edhe Ilir Meta. Në atë mot ishte ministër i Jashtëm. Më tha se do bënin të pamundurën në rrugë diplomatike për Koçon. “Do bëjmë disa shkresa zyrtare ku do të tregojmë se cili është për shqiptarët Koçoja.” Ndërkohë Gjergj Luca dhe Agron Duka u treguan të gatshëm për të ndihmuar Koçon nga ana financiare.

-Shkove në Itali?

-Po. Dy herë. Së pari me Gjergj Lucën. Koçoja ishte i burgosur në Rimini. Takuam avokatin. Dorëzuan dokumentat. Herën e dytë shkova me një përkthyese. E takuam Koçon në burg. Ishte me humor. “Kam trajtim ekstra,” -tha Koço. -“Biruca ime është si një dhomë në hotel me pesë yje. Bëja humor me karabinierët, por nuk kuptonin. I detyrova të mësojnë shqip. Tani u tregoj dhe qesh vetë.

Por unë jam i pafajshëm. Më zunë në një makinë. Unë mbaja në duar, si lodër, një vegël. Nuk e dija çfarë ishte. Na kapën karabinierët. Shtypën një sumbull nga vegla që mbaja unë në dorë, diçka kërciti dhe u hap një kuti me drogë. Por unë isha pasagjer. Nuk dija gjë. Isha viktimë. Por do dali e vërteta. ”U bë gjyqi. U mbyll gjyqi. Koço doli i pastër! Por u trishtova me politikën ditën që Koço Devole u nda nga jeta. Ministria e Kulturës duhet të organizonte homazhe. Po kështu qeveria duhet të hapte sallën e “Pallatit të Kongreseve” për t’i dhënë lamtumirën humoristit të madh. Atë që la mangut qeveria, e bëra bashkë me Agron Llakën. Folëm me drejtorin e Policisë së Qarkullimit Rrugor dhe ai dërgoi dy motoçiklistë që shoqëruan kortezhin.

-Të la ndonjë amanet Koçoja?

-Po… Një ditë, si shumë herë të tjera, u ulëm për drekë. Ishim vetëm të dy. Ai më tha se kishte merak djalin dhe mbesën. Djali kishte ardhur nga Italia dhe jetonte bashkë me të. A kishte zanat? Vetëm shofer. Ndërsa mbesa, Sindi, ishte studente në Itali. Çdo muaj i dërgonte 300 euro. I duhej edhe një vit që të mbarontemasterin. Pasi Koçoja u largua nga kjo jetë, e rregulluam djalin shofer në spitalin Gjerman. Më pas takova Sindin. E pyeta se kur e mbaronte masterin. I duheshin edhe katër muaj…E plotësova edhe amanetin e dytë të Koços…

Në fund e pyes Filipin: -E ka pasuruar biografinë tënde Koçoja?

-Kam punuar 42 vjet si gazetar. Kam botuar 10 libra. Kam shkruar qindra artikuj.

Le të harrohen të gjitha. Mjafton të mbetet në biografinë time fakti që kam punuar, kam jetuar, kam bashkëpunuar dhe kam bërë humor me Koço Devolen.