Kryesore Kurti kundër të gjithëve në OKB, Serbia dhe Rusia flasin hapur për...

Kurti kundër të gjithëve në OKB, Serbia dhe Rusia flasin hapur për ushtri dhe luftë në Kosovë

Albin Kurti kundër të gjithëve në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Kryeministri i Kosovës mbrojti dhe fitoi argumentin në arenën globale lidhur me vendimin për dinarin serb dhe eliminimin e strukturave paralele serbe.

Në seancë, presidenti serb Aleksandër Vuçiç e mori fjalën i pari duke pretenduar se qeveria e Kosovës sulmon serbët për të bërë spastrim etnik. Me këtë deklaratë tentoi që të justifikonte një kërkesë për kthimin e një pjesë të ushtrisë së Serbisë në Kosovë.

Kryeministri Kurti e nisi fjalën e tij para OKB-së duke i cilësuar si “të rreme” pretendimet për shkelje të të drejtave të njeriut ndaj serbëve që jetojnë në Kosovë. Ai tha se këto akuza po bëhen nga një shtet, që sipas tij, ka qeverisje autoritare dhe që ka kryer gjenocid në Bosnje dhe Kosovë.

“Serbia gjithashtu refuzon dy detyrime kyçe, që të mos pengojë anëtarësimin ndërkombëtar të Kosovës dhe të mos respektojë integritetin territorial. Ky refuzim, sidomos i fundit, tregon vullnetin për të mbajtur si alternativë pushtimin e Kosovës. Në këto kushte, nënshkrimi i marrëveshjes nuk është vetëm formalitet, është e vetmja garanci për implementimin e saj të plotë dhe të pakusht, sigurinë kombëtare të Kosovës dhe paqen në rajon. Përkundër ofertave të mia të përsëritura, zoti Vuçiç ka refuzuar të nënshkruajë. Unë e ftoj të nënshkruajë këtu në këtë takim, menjëherë, duke theksuar rolin kyç të kartës së OKB-së në marrëveshjen dhe marrëdhëniet tona. Ky akt simbolik do të demonstronte përkushtimin e tij për marrëdhënie paqësore fqinjësore. me Kosovën”, tha Kurti.

Pas fjalës së Kurtit, do të ishte radha e përfaqësuesit të Rusisë që do të merrte fjalën. Në gjithë retorikën e tij, në një fjalim si të ishte shkruar në zyrën e Vuçiçit, Kosova akuzohej se po kërcënon jetesën e serbëve dhe po përpiqet me çdo kusht, sipas Rusisë, që të shqiptarizojë kulturën ortodokse në veri, ndaj duhet ndaluar patjetër. Sipas përfaqësuesit të Rusisë, Kosova kërkon të bashkohet me Shqipërinë, ndaj edhe po armatoset.

Notat e forta të Federatës Ruse të bënin të kuptoje se pse ndërkombëtarët kanë dënuar vetëm Kosovën deri tani, pasi fjalimi i rusit mbante aromë lufte, ndaj edhe gjeopolitika e momentit e detyron Amerikën dhe BE-në që të jenë ato që përkëdhelin Serbinë, që ka nga pas Rusinë, që foli kaq hapur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.