Kosova Kurti prezanton planin me 5 pika për normalizim e situatës: Do të...

Kurti prezanton planin me 5 pika për normalizim e situatës: Do të shpallim zgjedhje të parakohshme në veri

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në një konferencë për mediat pas takimit që zhvilloi mëngjesin e kësaj të marte me ambasadorët e vendeve të QUINT-it, shpalosi planin me 5 pika të qeverisë së tij, për normalizimin e situatës në veri. Planin, i cili parashikon edhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në 4 komunat me shumicë serbe, Kurti tha se ia kishte prezantuar edhe ndërkombëtarëve.

“Ditën e fillova me një takim me ambasadorët e Quint-it dhe i njoftova me propozimin e qeverisë së Kosovës. Dje në orën 12:00 kam pasur një telefonatë me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Borrell me lidhje me situatën në komunat në veri. Dje pasdite kam qenë në komunikim të vazhdueshëm me të Dërguarin për Dialog Lajçak dhe njëkohësisht në mbrëmje dhe me ambasadorin amerikan në Kosovë, Hovenier. Kam shprehur përkushtimin dhe angazhimin për de-përshkallëzimin e situatës në veri dhe normalizim me Serbisë. Unë i kam ofruar Borrell dhe vendeve të QUINT-it një listë me hapa konkretë;

1-Sundimi i ligjit në 4 komunat veri të Kosovës, duke përfshirë, identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e pjesëtarëve të grupeve kriminale që sulmuan policinë, gazetarët, KFOR-in.

2-Grupet e dhunshme tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës. Prania e policisë do të zvogëlohet.

3-Policia e Kosovës dhe KFOR, do të kryejnë vlerësim të përbashkëta të sigurisë çdo 15 ditë.

4-Qeveria e Kosovës pas konsultimeve do të shpallë zgjedhje të parakohshme në 4 komunat në veri.

5-Kosova dhe Serbia rikthehen menjëherë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE. Udhëheqësit takohen gjatë kësaj jave”, tha mes të tjerash Kurti.