Sanna Marin do të bëhet kryeministrja më e re në botë, duke marrë detyrën e rëndësishme në moshën 34-vjeçare.

Ajo është zgjedhur si kryeministre e një qeverie koalicioni në Finlandë. Më herët në detyrën e ministres së Transportit, partia e saj social-demokrate i dha besimin që të bëhet kryeministre e Finlandës.

Ajo pritet që të betohet gjatë kësaj jave. Sanna Marin do të udhëheqë qeverinë e koalicionit të qendrës së majtë të përbërë nga 5 parti që drejtohen nga gratë.

Pasi të marrë detyrën, ajo do të bëhet kryeministrja më e re në botë. Ndërkohë që pas saj renditen kryeministri i Ukrainës Oleksiy Honcharuk 35 vjeç dhe ajo e Zelandës së Re, Jacinda Ardern 39 vjeç.

Kush është Sanna Marin

Marin do të jetë kryeministrja e tretë femër në vendin nordik. Social-Demokratët fituan më shumë vota në zgjedhjet e mbajtura në muajin Prill, duke u dhënë atyre të drejtën për të caktuar Kryeministrin/en që do të udhëheqë qeverinë e koalicionit.

BBC raporton se Sanna Marin jeton në një apartament me qira me nënën dhe partnerin e nënës së saj. Mediat vendase në vitin 2015, duke iu referuar dëshmive të dhëna nga vetë ajo, shkruajnë se në fëmijëri ajo ndihej e “padukshme” sepse nuk ishte në gjendje të fliste hapur për familjen e saj.

Por Sanna Marin ka deklaruar se nëna e saj kishte qenë gjithmonë mbështetja e saj dhe ishte pikërisht ajo qe e bëri atë të besonte se mund të arrinte gjithçka që dëshironte.

Sanna ishte personi i parë në familjen e saj që shkoi në universitet.

Marin u ngrit shpejt në radhët e Social Demokratëve, duke drejtuar administratën e qytetit në Tampere në moshën 27-vjeçare dhe duke u bërë deputete në 2015.

Ajo ka qenë ministre e Transportit dhe komunikimit që prej qershorit dhe ka një vajzë 22-muajshe.

Rindërtimi i besimit

“Ne kemi shumë punë për të bërë për të rindërtuar besimin”, u tha ajo gazetarëve. Ndërkohë që pyetjeve lidhur me moshën e saj të re për një kryeministre, ajo iu përgjigj shkurt: “Asnjëherë nuk kam menduar për moshën apo për gjininë time, por mendoj për arsyet që kam hyrë në politikë dhe për ato gjëra për të cilat kam fituar besimin e publikut”.