Kryesore Kush ishte ish-presidenti Giorgio Napolitano, ish-komunisti që theu tabutë në Itali, një...

Kush ishte ish-presidenti Giorgio Napolitano, ish-komunisti që theu tabutë në Itali, një mbështetës i madh i Shqipërisë

Kush ishte ish-presidenti i Italisë Giorgio Napolitano, ish-komunisti që theu tabutë, një mbështetës i madh i Shqipërisë

Ish-presidenti italian, Giorgio Napolitano, një ish-komunist që ndihmoi për të drejtuar vendin e tij përmes një krize borxhi në vitin 2011, vdiq sot në moshën 98-vjeçare. Zyra e kryeministres, Giorgia Meloni shprehu ngushëllimet e qeverisë italiane për familjen e Napolitanos.

Karriera politike e Giorgio Napolitanos, i lindur në vitin 1925, filloi gjatë viteve të tij të universitetit. Ai u regjistrua në fakultetin e drejtësisë në Napoli më 1942. I pasionuar pas letërsisë dhe teatrit, ai punoi si kritik teatri në një revistë të kohës. Në ato vite ai ra në kontakt me një grup të rinjsh komunistë dhe në vitin 1945 u bashkua me Partinë Komuniste, sekretar i përgjithshëm i së cilës ishte në Napoli dhe Kazertë. Në vitin 1947 mbaroi studimet universitare dhe u diplomua dhe 6 vjet më vonë, në vitin 1953, filloi të hidhte hapat e parë duke u bërë deputet në njësinë elektorale të qytetit napolitan deri në vitin 1996.

Në vitet ‘60 mendimi i tij politik ndryshoi qasje pasi u frymëzua nga vlerat e socializmit demokratik në linjën e Giorgio Amendola. Ai i dha kështu jetë rrymës “të djathtë” të partisë. Një rrymë që u quajt “melioriste” dhe që propozonte një përmirësim të kushteve të jetesës së klasës punëtore.

Në vitet ’70 ai zhvilloi aktivitete jashtë vendit: mbajti konferenca në universitetet më të mira angleze, gjermane, madje edhe amerikane.

Ai ishte lideri i parë i Partisë Komuniste që mori vizë për në Shtetet e Bashkuara. Në vitin 1986 ai drejtoi komisionin e politikës së jashtme, duke e shtyrë partinë drejt një hapjeje “të plotë dhe besnike” ndaj Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s. Duke folur për Napolitanon, Henry Kissinger tha: “Ai është komunisti im i preferuar”.

Në vitin 1989 ai mori rolin e ministrit të Jashtëm dhe iu bashkua rrymës socialiste evropiane. Kështu filloi reforma e PCI e cila u shndërrua në Partinë Demokratike të së Majtës. Në vitin 1991 ai udhëtoi për në Izrael, duke forcuar lidhjen e tij me kërkesat e komunitetit hebre.

Në vitin 1992 ai u zgjodh President i Dhomës, duke zëvendësuar Oscar Luigi Scalfaro i cili u ngjit në Quirinale. Ishin vitet e shënuara nga Tangentopoli dhe shkëputja me Bettino Craxi. Në vitin 1994 ai u zgjodh nga PDS për të shpallur votimin e qeverisë së parë të Berlusconit. Fjalimi i tij do të vulosë lidhjen dhe respektin mes të dyve.

Në vitin 1996 me Romano Prodin në qeveri mbajti postin e ministrit të Brendshëm.

Ishte ish-komunisti i parë që mbante postin më të lartë në Ministrinë e Brendshme. Pas rënies së qeverisë Prodi, ai u bë sërish deputet i Parlamentit Evropian nga viti 1999 deri në vitin 2004 në radhët e demokratëve të së majtës. Në vitin 2005 Carlo Azeglio Ciampi e emëroi atë si senator të përjetshëm.

Në vitin 2006, në votimin e katërt, Giorgio Napolitano ishte ish-komunisti i parë që u bë presidenti i njëmbëdhjetë i Republikës Italiane, duke marrë detyrën nga Carlo Azeglio Ciampi.

Pasazhi që e solli në histori si “King George” (siç e kurorëzoi New York Times, duke e krahasuar me George VI, sovranin që u bë simbol i rezistencës britanike ndaj nazistëve) ishte ai i nëntorit 2011 që bëri Mario Montin kryeministër.

Kritikët folën për një Republikë presidenciale dhe për “ndërhyrje” të tepruar të tij. Mbështetësit e vlerësuan atë si një lëvizje vendimtare për të parandaluar shtyrjen e vendit drejt humnerës pas krizës së borxhit sovran.

Ishte ai që theu më pas tabunë e një mandati të dyfishtë si President i Republikës, pothuajse i detyruar edhe pse në moshë të thyer nga kriza e politikës e cila u tregua e paaftë për të gjetur një emër të përbashkët në parlament. Ishte 20 prill 2013 dhe në votimin e gjashtë ai u rizgjodh me një shumicë të madhe prej 738 votash pro nga 997 votues.

Ai dha dorëheqjen në vitin 2015, duke përmendur moshën e tij.

Në vitin 2018 erdhën problemet e para shëndetësore. U shtrua në spital për një problem me zemrën. Në vitin 2022 bëri një operacion të dytë. Edhe kohët e fundit shëndeti ishte përkeqësuar.

Ai e vizitoi dy herë Shqipërinë. Fillimisht si ministër i brendshëm në 1997 dhe më pas si President në 2014. Gjithmonë ishte një mbështetës i madh integrimit të vendit tonë në BE.

Napolitano krijoi një marrëdhënie të ngushtë me Papa Benediktin XVI të ndjerë dhe ishte një nga të paktët njerëz që ishte paralajmëruar paraprakisht për dorëheqjen tronditëse të Benediktit në shkurt të vitit 2013.