Bota Linjat ajrore protestë ndaj vendimit të Britanisë së Madhe për vendosjen e...

Linjat ajrore protestë ndaj vendimit të Britanisë së Madhe për vendosjen e karantinës

Linjat ajrore kërcënojnë se do të ndërmarrin veprime ligjore, pasi të gjithë vizitorët e ardhur në Britaninë e Madhe duhet të izolohen për 14 ditë, me qëllim frenimin e përhapjes së koronavirusit duke filluar nga sot.

Michael O’Leary, shefi ekzekutiv i grupit të linjës ajrore me kosto të ulët “Ryanair”, tha se qytetarët rrezikojnë humbjen e milionave vende pune si rezultat i rregullit të karantinës, që vlen për të ardhurit nga vendet e tjera, duke përfshirë qytetarët britanikë, nga të gjitha vendet, përveç Irlandës.

Kryeministri konservator, Boris Johnson theksoi se kërkesa për karantinë, fillimisht deri më 28 qershor, është e domosdoshme në mënyrë që ata që vijnë nga jashtë nuk do të përhapin virusin.

Britania e Madhe ka raportuar numrin më të lartë të viktimave në Europë nga pandemia e koronavirusit dhe shkalla e infeksionit mbetet më e lartë se në shumicën e vendeve europiane.

“Jemi në situatën ku, disa javë më parë, vendet e tjera vendosën karantinë dhe ne nuk e bëmë. Tashmë, ndërsa të gjithë e heqin, ne po e vendosim”, deklaroi udhëheqësi i Partisë Laburiste, Keir Starmer.