Sport Liverpool leksion Arsenalit; Juve dhe Bayern 3 pikë; Ngec Reali

Liverpool leksion Arsenalit; Juve dhe Bayern 3 pikë; Ngec Reali

Liverpool i jep leksion futbolli Arsenalit në ndeshjen e javës së katërt të Premier League, kampionat që është ekskluzivitet i Supersport në Digitalb, ashtu sikurse edhe kampionatet e tjerë të rëndësishëm në Evropë.

Në Anfield, skuadra e ‘The Reds’ iu imponua ‘Topçinjve’ me rezultatin 3-1. Skuadra e Klopp i shënoi golat në pjesën e parë të sfidës me Matip dhe 2 herë me Salah. Arsenali e shënoi golin e vetëm me Torreirën.

Chelsea shënoi fitoren e parë në kampionat. Blutë e Frank Lampard mundën Norwichin në fushën e këtij të fundit me rezultatin 3-2. Pjesa e parë u mbyll 2-2 me Chelsean që shënoi me Abraham dhe Mount, ndërkohë që Norwich u përgjigj me Cantwell dhe Pukkit. Në pjesën e dytë, Abraham shënoi golin e fitores për Chelsean dhe të dytin personal.

Në Gjermani, Bayern Munich e harroi barazimin me Hertën në javën e parë të Bundesligës duke fituar pastër në fushën e Schalke 04 me rezultatin 3-0 në një sfidë ku bëri debutimin edhe Philipe Coutinho. Njeriu i ndeshjes për bavarezët u bë Robert Lewandowski, autor i tre golave për kampionët e Gjermanisë, njërin prej të cilëve e shënoi nga pika e bardhë e 11 metërshit.

Fitore shënoi edhe Bayer Leverkusen në fushën Fortuna Dusseldorf me rezultatin 3-1.

Në Itali, Juventus e nisi mbarë mbrojtjen e titullit në Serinë A. Skuadra torineze iu imponua Parmës në Tardini me rezultatin 1-0. Ai që vendosi fatin e sfidës për ‘Zonjën e Vjetër’ ishte Chiellini me golin e shënuar në minutën e 21. Për t’u theksuar është edhe goli i anuluar me VAR i Cristiano Ronaldos, për pozicion jashtë loje të portugezit.

Në Spanjë, Reali i Madridit befasohet në ”Santiago Bernabeu” nga Vajadolidi në javën e dytë të La Ligës. Skuadra e Los Blancos nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 në këtë ndeshje ku golat u shënuan në minutat e fundit të saj. Karim benzema i dha avantazhin skuadrës së Zidane, por Vajadolidi iu përgjigj shumë shpejt duke barazuar rezultatin me golin e Guardiolës.