Bota Lojëra spiunazhi, “ftohen” marrëdhëniet mes Suedisë dhe Zvicrës

Lojëra spiunazhi, “ftohen” marrëdhëniet mes Suedisë dhe Zvicrës

Edhe pse kanë kaluar tre dekada që nga rënia e Murit të Berlinit, mosmarrëveshjet mes Suedisë dhe Zvicrës tregojnë se historitë me spiunazh të Luftës së Ftohtë kanë ende potencialin për t’i acaruar marrëdhëniet diplomatike në Evropë.

Fundjavën e shkuar, ministrja e Jashtme suedeze, Ann Linde, anuloi një takim me homologun e saj zviceran, Ignazio Cassis. Takimi ishte planifikuar për këtë muaj pasi Zvicra vendosi një ndalim eksportesh për Crypto International, një kompani suedeze e sigurisë kibernetike me bazë në Zvicër.

Ndalimi u vendos ndërsa autoritetet zvicerane po shqyrtojnë pretendimet e kahershme se varianti i mëparshëm i Crypto International, Crypto AG, ishte diçka më shumë se një front për mbledhjen e inteligjencës amerikane gjatë Luftës së Ftohtë.

Linde tha se urdhri i ndalimit përfshin “mallrat” – të cilat ekspertët sugjerojnë se mund të përfshijnë përditësime të sigurisë kibernetike ose produkte të tjera të IT që u duhen agjencive shtetërore suedeze.

Takimi i nivelit të lartë ishte planifikuar në kuadër të njëqindvjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

Përplasja diplomatike është kthesa e fundit në një ngatërresë të gjatë dhe komplekse akuzash dhe mohimesh që shoqëruan Crypto AG për dekada dhe tani po ndjek edhe pasardhësin e saj, Crypto International.

Crypto AG u ndërtua nga inxhinieri mekanik suedez, Boris Hagelin, produktet e hershme të të cilit përfshinin një version të makinës gjermane Enigma, që u përdorën gjerësisht gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Pas luftës, Hagelin e zhvendosi selinë e kompanisë në Zvicër, pjesërisht për arsye taksash dhe fitoi klientë shtetërorë – nga Irani në Argjentinë – të cilët përdorën teknologjinë kriptografike në dukje të sigurt të Crypto AG për të dërguar mesazhe me sensivitet të lartë nga ambasadat dhe kryeqytetet e vendeve në fushat e betejës dhe bazat ushtarake.

Një investigim nga gazeta “Baltimore Sun” në 1995 pretendoi se gjatë periudhës së pasluftës, u krijua një marrëdhënie gjithnjë e më e ngushtë midis Crypto AG dhe inteligjencës amerikane, pretendime që Crypto AG i hodhi poshtë në atë kohë si thashetheme.

Në shkurt të këtij viti, “Washington Post”, ndërsa punonte në Gjermani, pohoi se CIA dhe homologu i saj gjerman, BND, e kishin në pronësi të plotë Crypto AG prej dekadash dhe kishin qenë në gjendje të dekodonin të gjithë trafikun nga makineritë e kompanisë.

Shkrimi në “Washington Post”, bazuar në historitë e operacionit të përpiluar nga CIA dhe BND, sugjeron se aksesi ishte një minierë ari për inteligjencën, që lejonte agjentët amerikanë të përgjonin udhëheqësit e Iranit gjatë krizës së pengjeve në 1979, udhëheqësit argjentinas gjatë Luftës së Falklands dhe liderët libianë që pranuan se kishin planifikuar bombardimin e një klubi nate në Berlin në 1986.

Sipas këtij raportimi, BND i shiti aksionet e saj në vitet 1990, por CIA ia kaloi emrin, rrjetin e shpërndarjes dhe të drejtat e produktit një kompanie të re: Crypto International.

Pasi botimit në shkurt të shkrimit të “Washington Post”, autoritetet zvicerane filluan një hetim mbi rastin duke u përqëndruar në shkelje të mundshme të ligjeve të eksportit “nga persona të panjohur”.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, e cila po zhvillon hetimet, tha se procesi është në vijim.

Sipas Sekretariatit të Çështjeve Ekonomike, i cili solli ankesën origjinale, licenca e eksportit të Crypto International u pezullua më 19 qershor pas një vendimi nga Këshilli Federal Zviceran që u rinovua më 26 gusht.

Ndërkohë, pyetjet vazhdojnë të vërtiten rreth asaj se sa zviceranët dinin me të vërtetë për operacionin. Dokumentet e CIA dhe BND sugjerojnë që qeveria zvicerane duhet të ketë pasur dijeni mbi lidhjet midis CIA dhe Crypto AG, sipas raportit të Ëashington Post.

Ligjvënësit zviceranë, përfshirë Kaspar Villiger, i cili ishte ministër i mbrojtjes në fillimin e viteve 1990, e mohojnë këtë.

Në Suedi, familja e Hagelin ka thënë se nuk dinin gjë ​​për pjesën më të madhe të punës së tij gjatë jetës së tij.

Kunati i tij Sixten Svensson i tha radios publike suedeze se ishte e qartë për familjen se Hagelin kishte bërë shumë para, por askush nuk kishte dyshuar se paratë mund të ishin gjeneruar me ndihmën e CIA-s. Svensson ka thënë se në bisedat me Hagelin, ai nuk hapej shumë për atë që bënte.

Hagelin vdiq në 1983 dhe u varros në varrezën familjare në Stokholm.

Në traditën suedeze, guri i varrit mban të shkruar edhe profesionin e të ndjerit.

Varri i Hagelin mban vetëm emrin e tij. Nuk thotë asgjë se çfarë ka bërë ai në jetë.

/ Politico.eu