Ndërsa na ndajnë vetëm pak orë nga vendimi për hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me BE, kancelarja gjermane, Angela Markel dhe presidenti i Francës, Emmanuele Macron kanë dalë në një konferencë të përbashkët.
Gjatë konferencës, Merkel i ka përmendur Macron-it faktin se për hapjen e negociatave duhet një vendim unanim.
Por presidenti Macron vijon ti mbetet besnik deklaratave të mëparshme, duke theksuar se duhet reformim i procedurave të pranimit të shteteve në BE.
Ai nuk është dakord me hapjen e negociatave, pasi shprehet se fillimisht do duhej reformuar i gjithë sistemi i proceseve të integrimit. Në fjalën e tij Macron la të kuptohej se Merkel nuk e kishte bindur Presidentin francez për një ‘marrëveshje’ mbi dy vendet që presin orët në vijim për lajmin.
Gazetarja: Cilat janë ndryshimet e Francës e Gjermanisë mbi negociatat për Shqipërinë e RMV e ku janë afruar pozicionet tuaja?
Angela Merkel: “Mes Francës e Gjermanisë nuk ka diferenca mbi faktin se vendet e Ballkanit perëndimor kanë aspiratën të bëhen pjesë e BE. Kjo është e rëndësishme për të gjithë. Nga ana franceze ka një kërkesë të cilën unë e mbështes, që është reformimi i procedurave të zgjerimit në BE, që të mos ketë procese automatike e të rishikohen procedurat. Në Bundestag ne kemi vendosur, ne mendojmë se negociatat e anëtarësimit mund të fillojnë, por me kusht që të zbatohen disa aspekte rregullatore. Aty është problemi: çfarë duhet bërë e përmbushur për të hapur kapitullin e parë të negociatave? Pikërisht këtu ne ndoshta ne ende kemi mendime të ndryshme. Për këtë do flasim nesër e do shohim nëse do arrijmë një marrëveshje mbi çështjen e zgjerimit të BE. Ju e dini se vendimet në BE merren në mënyrë unanime, pra jemi të detyruar të kemi qëndrime të përbashkëta dhe shpesh ia kemi arritur kësaj. Pra nuk flas vetëm për një qëndrim franko-gjerman, por për një qëndrim edhe të vendeve të tjera”.
Ndërsa Macron deklaroi se Ballkani perëndimor është strategjik për Evropën dhe duhet mbështetur por se procesi i zgjerimit duhet reformuar. Sipas Macron, Franca ka vullnetin e mirë për të dërguar sinjale pozitive por duhet kohë për ti bërë gjërat si duhet.
Macron: “Sa i takon zgjerimit. Evropa është një shtëpi e madhe dhe e bukur në të cilën ne jetojmë së bashku. Ndihemi keq kur dikush nga ne vendos të largohet nga shtëpia. Nga ana tjetër kemi vështirësi të restaurojmë shtëpinë, të rregullojmë ndriçimin, e madje shumë anëtarë kur u kërkohet, a jeni gati të investojnë për të riparuar ndriçimin apo derën, thonë:- jo unë nuk investoj në këtë shtëpi, jo më shumë se 1%. Madje të njëjtët që kundërshtojnë këto shpenzime vijnë e na thonë, ne do ftojmë shokë e shoqe të reja në shtëpi. Nga marrëdhënia ime me Gjermaninë kam mësuar se, një ndjenjë bonsensi e qëndrese, sidoqoftë ideja e të bërit të gjërave në rendin e duhur, është tregues efikasiteti, e nuk mund të mos them se nuk po bëjmë gjithçka në rendin e duhur.
Pra përshëndes kurajon, këmbënguljen dhe përpjekjet që janë bërë nga të dy udhëheqësit e Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut. Ata kanë bërë një punë shumë të madhe në vendet e tyre këto vitet e fundit. Ua njoh dhe duhet t’u dërgojmë një sinjal pozitiv.
Së dyti, jam i bindur njëlloj si kancelarja se rajoni i Ballkanit perëndimor është krejtësisht strategjik për Evropën e duhet ta mbështesim.
Së treti, mendoj se kemi ende gjëra për të finalizuar para se të hapim negociatat. Mendoj se duhet ta reformojmë këtë proces, që sot është i pakthyeshëm e i papërshtatur. Nganjëherë bëjmë gjëra të çuditshme mes nesh. Njerëzit nuk e dinë. Ne lejojmë lirinë e lëvizjes ende pa u hapur ende negociatat. Me Shqipërinë ne e kemi lirinë e lëvizjes pa viza edhe pse nuk ka hapur negociatat. Pra e çuditshme si lloj marrëdhënieje. Edhe kjo duhet vënë në rendin e duhur se nuk ecën si duhet, sepse duke përdorur këtë liri vizash, kemi sot në Francë me mijëra e mijëra njerëz që kërkojnë azil. Si mund t’ua shpjegoj unë bashkëqytetarëve të mi, se vendi i dytë, qytetarët e të cilit kërkojnë azil në Francë, janë njerëz që vijnë nga Shqipëria. Por gjërat atje shkojnë aq mirë sa ne do t’u hapim negociatat e anëtarësimit në BE”.