Sport Majlinda Kelmendi e pathyeshme edhe në Tel Aviv

Majlinda Kelmendi e pathyeshme edhe në Tel Aviv

Xhudistja kosovare Majlinda Kelmendi mbetet e pathyeshme. Sportistja kosovare ka dhuruar një performancë të shkëlqyer edhe në Grand Prix-in e Tel Avivit në Izrael. Kampionia olimpike kosovare mposhti në finale xhudisten Gili Kohen.
Majlinda Kelmendi garoi në kategorinë deri në 52 kilogram, ku më herët kishte mposhtur zviceranen, Fabien Kosher dhe rumunen, Andrea Çitu. Dy garat e para, ishin të thjeshta për Kelmendin, ndërsa në finale edhe pse pati një betejë më të fortë, ajo sërish ia doli që të merrte medaljen e artë.

Ky turne në Tel Aviv është shumë i rëndësishëm pasi i shërben Majlinda Kelmendit, por edhe të gjithë xhudistëve të tjerë për të mbledhur pikë kualifikuese për në Olimpiadë. Kelmendi deri më tani, duke qenë edhe kampionia në fuqi është e para, sa i përket pikëve të mbledhura, por ajo po punon që këto pikë të kenë impakt maksimal edhe tek sportistët e tjerë kosovar, në mënyrë që të shkojnë disa xhudistë në Olimpiadë. Me këtë medalje të artë, Kelmendi shtoi në llogarinë e saj edhe 700 pikë Olimpike për Lojërat Olimpike Tokio 2020.

Pas këtij triumfi kanë qenë të shumta reagimet në rrjetet sociale. I pari që uroi Kelmendin, ishte trajneri i saj, Driton Kuka, i cili është shprehur shumë i lumtur me përformancën e saj. “E arta e Kombit! Grand Prix Tel Aviv një finale e çmendur e Majlindes! I lumtur shumë me performancën e saj”, ka shkruar ai në Facebook.

Por edhe personalitet më të rëndësishme të politikës kosovare kanë shprehur urimet e tyre për këtë sukës të Kelmendit. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka quajtur edhe një triumf tjetër për t’u admiruar. “Edhe një triumf tjetër për t’u admiruar i xhudistës sonë, e cila fitoi të artën në Grad Prix të Tel Avivit. Të lumtë, Majlinda!” Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli e ka quajtur një fillim të artë. “Një fillim i artë për Kosovën nga Majlinda jonë e artë”.