Kryesore Mattarella takon Begajn: Shqipëria, vend i një rëndësie parësore për Italinë

Mattarella takon Begajn: Shqipëria, vend i një rëndësie parësore për Italinë

Presidenti italian, Sergio Mattarella, ndodhet në vizitë zyrtare në Shqipëri, ku kreu fillimisht një takim me homologun e tij, presidentin shqiptar, Bajram Begaj.

Gjatë konferencës për shtyp, presidenti shqiptar nënvizoi se mes tyre u diskutua për bashkëpunimin mes vendeve, në rrafshin politik, ekonomik dhe institucional, duke cilësuar vendin fqinj si “partner strategjik”.

Presidenti ndali në dimensionin ekonomik mes vendeve, duke mirëpritur prezencën e shtuar të biznesit italian në Shqipëri gjatë viteve të fundit, si dhe bashkëpunimet në fushën e energjisë, si në rastin e gazsjellësit TAP.

Begaj përgëzoi në veçanti mbështetjen dhe njohjen e ndërsjellë të kontributeve shoqërore, që ai cilësoi si me rëndësi jetike për emigrantët shqiptarë në Itali.

Nga ana e tij, Mattarella, president prej vitit 2015, përgëzoi Begajn për detyrën e sapomarrë dhe nënvizoi se lidhja midis Italisë dhe Shqipërisë është e ushqyer nga prania e komuniteti shqiptar në Itali dhe asaj italiane në Shqipëri, e rritur edhe më shumë nga përkatësia në NATO. “Shpresojmë së shpejti në përkatësinë e përbashkët në Bashkimin Europian”, u shpreh ai.

Mattarella pranoi se Brukseli iu përgjigj “ me vonesë” premtimit për anëtarësim të popullit shqiptar, si dhe theksoi se fillimi i negociatave është burim kënaqësie për vende si Italia që e kanë mbështetur gjithmonë anëtarësimin shqiptar në BE, vend sipas të cilit është i një rëndësie parësore për Romën zyrtare.

Duke nënvizuar praninë e sipërmarrjeve italiane në vend, Mattarella evidentoi se puna e Komunitetit të Përbashkët Ekonomik, i krijuar pak kohë më parë, do të sjellë një shtim në investimet italiane.

Mattarella përgëzoi Shqipërinë edhe në dimensionin e saj ndërkombëtar, për punën e gjykuar si “efikase” në kuadër të Kombeve të Bashkuara, ku Tirana mban vendin e anëtarit të Këshillit të Sigurimit.