Aktualitet Mbërrijnë 150 refugjatë të tjerë afganë

Mbërrijnë 150 refugjatë të tjerë afganë

150 qytetarë të tjerë afganë mbërritën mëngjesin e kësaj të hëne në Shqipëri. Avioni i ardhur nga Abu Dabi u ul në pistën e Aeroportit të Rinasit rreth orës 05:00 të mëngjesit, ndërsa mes refugjatëve kishte edhe shumë të mitur.

Ashtu si edhe kontingjentet e tjera të mëparshme, edhe refugjatët e ardhur së fundmi u pritën nga zyrtarë të lartë të ekzekutivit, ndërsa më pas ata kryen procedurat paraprake të verifikimit dhe kontrollit shëndetësor në qendrat provizore të ngritura në Rinas.

Me autobusë ata u transportuan në njësitë e akomodimit, teksa 103 prej tyre u dërguan në Qytetin Studenti dhe 47 të tjerë në struktura hoteliere në Qytetin e Durrësit. Pas sistemimit atyre iu bë testi anti-Covid, ndërsa struktura të posaçme shtetërore kanë marrë masa për sigurinë dhe trajtimin e veçantë tyre.

Në katër ditët e para të këtij operacioni evakuimi në vendin tonë kanë mbërritur 607 persona, nga të cilët 393 janë strehuar në Tiranë ndërsa 214 të tjerë në hotelet e bregdetit të Durrësit.

Autoritetet shtetërore kanë bërë të ditur se edhe të gjithë refugjatët që janë akomoduar në Qytetin Studenti do të strehohen më vonë për rreth 14 muaj në strukturat hoteliere në qytetin e Durrësit dhe të Lezhës, sapo këto të fundit të lirohen nga pushuesit, ndërsa konviktet do të bëhen gati më pas për të pritur studentët.

Qeveria shqiptare ka bërë të ditur se Shqipëria do të pranojë deri në 4 mijë refugjatë afganë.