Sport Mbrëmje ëndrrash për Danimarkën, Belgjika e mbyll me pikë të plota

Mbrëmje ëndrrash për Danimarkën, Belgjika e mbyll me pikë të plota

Danimarka përjeton mbrëmjen e ëndrrave ndërsa arrin mrekullisht kualifikimin në 1-8 e Euro 2020. Nga vendi i fundit pas dy ndeshjeve të para, danezët e shohin tashmë vetën në turin tjetër pasi mundën në mënyrë spektakolare 4-1 Rusinë, por edhe falë suksesit 2-0 të Belgjikës kundër Finlandës.

Damsgaard ndezi shpresat e Danimarkës me golin e avantazhit në minutën e 38 ndërkohë që në 59, Rusia bën vetëvrasje duke i dhuruar golin e dytë pas një gafe në mbrojtje.

Në “Parken Stadium” tifozët shpërthejnë në festë kur Belgjika gjen golin kundër Finlandës duke e bërë Danimarkën të kualifikuar. Por në pak sekonda, heshtja pllakosi kur goli i belgëve anulohet dhe Rusia ngushton shifrat me një penallti të kthyer në gol nga kapiteni Dzuba.

Danimarka nuk dorëzohet, beson deri në fund dhe shpërblehet. Në minutën 79, pas shumë tentativash, Christensen dërgon në delir skuadrën me një gol të mrekullueshëm nga larg ndërkohë që festa e danezëve kompletohet kur Belgjika shënon ketë herë në pozicion të rregullt. Entuziazmi në Kopenhagë është i jashtëzakonshëm dhe Danimarka nuk ndalet duke gjetur dhe golin e katërt ndërsa kualifikimi vuloset prej rezultatit të ndeshjes tjetër, me Belgjikën që shënoi edhe golin e dytë duke mundur në fund 2-0 Finlandën.

Belgjika fiton në këtë mënyrë grupin B me 9 pikë të plota, ndërsa Danimarka arrin kualifikimin e pabesueshëm si e dyta e këtij grupi, sukses që i dedikohet padiskutim, futbollistit të tyre, Christian Eriksen.