Kryesore “Mbrojmë Kosovën”, koloneli amerikan garanton: Kemi armë për çdo lloj situate

“Mbrojmë Kosovën”, koloneli amerikan garanton: Kemi armë për çdo lloj situate

Trupat amerikane në Kosovë janë të pajisura mirë dhe gati për të parandaluar çdo përpjekje për dhunë. Është kjo garancia e madhe për sigurinë e ofruar nga komandanti nga Teksasi, Kolonel Ross Walker. Për Reuters, ai konfirmon se një vëmendje e madhe po i kushtohet veriut, marrë shkas edhe nga sulmi i fundit i armatosur nga një grupim serbësh të udhëhequr nga Milan Radoiçiç.

“Ne qëndrojmë në gatishmëri për të reaguar ndaj çdo lloj situate dhe ne jemi të përgatitur mirë, trajnuar dhe pajisur mirë për t’iu përgjigjur gjithçkaje që mund të ndodhë këtu”, u shpreh komandanti.

NATO ka shtuar prezencën edhe me 1 mijë ushtarë të tjera pas sulmit të Banjskës, ku humbi jetën heroi Afrim Bunjaku në përleshjen e armatosur me grupimin terrorist që hyri nga Serbia. Më shumë se 570 ushtarë amerikanë po shërbejnë në misionin KFOR, i cili në total numëron 4500 trupa.

“Personalisht nuk kam takuar askënd që ka patur kaq shumë frikë për një konflikt të ri këtu. Por mendoj se çelësi për ta ndryshuar këtë është tek dialogu. Edhe pse jemi të gatshëm të reagojmë ndaj çdo gjëje, dëshira jonë është t’i bëjmë gjithmonë gjërat përmes një dialogu paqësor kundër çdo lloj dhune”, shtoi Walker.

Disa nga ushtarët amerikanë janë të vendosur në kampin “Nothing Hill”, në afërsi të Leposaviqit dhe patrullojnë rrugët që lidhin Kosovën dhe Serbinë. Ata parkojnë kamionët e tyre afër kufirin me Serbinë dhe më pas ecin në këmbë deri tek trau i hekurt që sinjalizon ndarjen territorial mes Kosovës dhe Serbisë. Ata patrullojnë duke poseduar vetëm pistoleta, një shenjë që tregon situatë të qetë.

Ekspertë dhe diplomatë të ndryshëm nga perëndimi paralajmërojnë se në veri të Kosovës mund të ketë tensione për shkak të vendimin për dinarin serb, ndërsa Beogradi vazhdon të refuzojë njohjen e pavarësisë së Kosovës.